Transmetuar më 04-02-2026, 18:13

Një investigim i thelluar i BBC-së ka zbuluar një praktikë shqetësuese që po ndodh në disa nga kryeqytetet më të njohura të jetës së natës në botë, ku burra filmojnë në mënyrë të fshehtë gra në ambiente publike dhe më pas i monetizojnë pamjet në rrjete sociale si YouTube, TikTok, Facebook dhe Instagram.

Videot publikohen nën etiketa si “walking tours” apo “nightlife content”, por sipas BBC-së, ato fokusohen pothuajse ekskluzivisht te gratë e veshura me fustane ose funde, të filmuara nga kënde shumë të ulëta ose nga pas, duke ekspozuar pjesë intime të trupit pa pëlqimin e tyre.

Sipas të dhënave të BBC-së, janë identifikuar më shumë se 65 kanale të tilla online, të cilat kanë grumbulluar mbi 3 miliardë shikime gjatë tre viteve të fundit. Pamjet janë regjistruar kryesisht në qytete si Londra, Oslo, Miami dhe Bangkok, ndërsa Manchesteri rezulton një nga qendrat kryesore të kësaj veprimtarie.

Në fokus të investigimit është edhe Florjan Reka, 35 vjeç, me origjinë shqiptare dhe banim në Suedi. BBC raporton se Reka drejton një nga kanalet më të mëdha të këtij lloji në YouTube, me rreth 200 milionë shikime dhe 399 mijë abonentë, si dhe një faqe në Facebook me mbi 600 mijë ndjekës.

Kanali i tij është i regjistruar si biznes në Suedi, me aktivitet zyrtar “influencer, marketing dhe reklamë”. Gjatë një operacioni të fshehtë në Manchester, gjatë festimeve të Halloween-it, gazetarët e BBC-së filmuan Florjan Rekën së bashku me vëllanë e tij, Roland Reka, duke regjistruar gra nga kënde të ulëta, ndërsa mbanin kamerat në lartësinë e belit dhe shtirreshin sikur po përdornin telefonat.

Pas kontaktit nga BBC, YouTube mbylli dy llogari të lidhura me Florjan Rekën, megjithatë disa video të ngjashme vijojnë të jenë aktive në platforma të tjera. Reka nuk pranoi të komentonte për BBC dhe shmangu takimet me ekipin investigativ, edhe pse gazetarët udhëtuan në Suedi për ta takuar.

Dëshmitë e viktimave dhe pasojat

Një nga gratë e filmuara, e identifikuar me emrin e ndryshuar “Grace”, mësoi vetëm përmes BBC-së se pamjet e saj – të filmuara nga poshtë fustanit – kishin marrë mbi 3 milionë shikime.

“Që nga ai moment ndihem paranojake sa herë dal nga shtëpia,” tha ajo për BBC.

Investigimi dokumenton gjithashtu qindra komente mizogjene dhe degraduese ndaj grave në këto video, duke ngritur shqetësime serioze mbi shkeljen e privatësisë, mungesën e pëlqimit dhe përgjegjësinë e platformave digjitale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit