Transmetuar më 04-02-2026, 16:37

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) refuzoi të priste në takim komisionin parlamentar për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, duke mos lejuar kështu një vizitë monitoruese të planifikuar.

Për këtë qëndrim, ka reaguar drejtuesi i komisionit, Fatmir Xhafaj, i cili në seancën e radhës tha se kontrolli parlamentar ndaj institucioneve publike, përfshirë edhe prokurorinë e posaçme, është i parashikuar në ligj dhe nuk duhet interpretuar si ndërhyrje në pavarësinë e tyre.

“Kontrolli parlamentar nuk është presion”

Xhafaj theksoi se mbikëqyrja parlamentare nuk është monitorim i veprimtarisë së institucioneve të pavarura, por një mekanizëm ligjor për bashkëpunim institucional.

“Normat dhe praktikat parlamentare nuk e shohin funksionin kushtetues të mbikëqyrjes parlamentare si monitorim të institucioneve të pavarura. Vizitat monitoruese janë një praktikë e konsoliduar parlamentare edhe në legjislaturën e kaluar”, u shpreh ai.

Sipas tij, kontrolli parlamentar shërben për të rritur bashkëpunimin, dhe jo për të ushtruar presion.

“Kuvendi është hapësirë dialogu institucional”

Xhafaj pohoi se Shqipëria është republikë parlamentare, dhe Kuvendi ka rol për të krijuar dialog ndërmjet pushteteve dhe për të konsoliduar bashkëpunimin institucional.

“Ushtrimi i kompetencave kushtetuese të Kuvendit shërben edhe si hapësirë e dialogut institucional, ku ndërtohet mirëkuptimi ndërmjet pushteteve”, tha ai.

Rrethanat e kërkesës për takim

Drejtuesi i komisionit kishte kërkuar që më 6 shkurt të zhvillohej një takim pune me SPAK, në kuadër të masave për luftën kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

Megjithatë, SPAK ka argumentuar se këto vizita mund të cenojnë pavarësinë e Prokurorisë së Posaçme, duke refuzuar pranim takimi.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit