

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Qeveria e Shqipërisë ka vendosur të heqë masat e përkohshme që ndaluan aksesin në rrjetin social TikTok, i cili ishte i bllokuar në të gjithë territorin që nga 13 marsi 2025.
Vendimi i Këshillit të Ministrave vjen rreth një vit pas bllokimit, i cili u mor disa muaj pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani, ngjarje që sipas autoriteteve kishte nisur me një konflikt në TikTok.
Sipas njoftimit zyrtar, Autoriteti Kombëtar i Sigurisë Kibernetike (AKSK), në bashkëpunim me institucionet rregullatore, do të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të realizuar heqjen e bllokimit, duke respektuar ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale dhe rregullat e sigurisë kibernetike.
Çfarë përfshin vendimi
Vendimi i qeverisë përfshin:
Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në TikTok
Shfuqizimin e vendimit të mëparshëm të marsit 2025
Detyrimin e institucioneve për zbatimin e këtij vendimi, përfshirë ministritë e Arsimit, Drejtësisë, Brendshme, Shëndetësisë, Infrastrukturës, AKSK dhe agjencitë rregullatore.
Qeveria argumenton se bllokimi është hequr pasi janë adresuar problematikat e lidhura me sigurinë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
Reagimet e organizatave të shoqërisë civile
Vendimi i marsit 2025 kishte shkaktuar reagime nga rreth 20 organizata për të drejtat e njeriut, të cilat e kishin cilësuar bllokimin si një kufizim të tepruar të lirisë së shprehjes dhe qasjes në informacion.
Organizatat theksuan gjithashtu se bllokimi në periudhën parazgjedhore, pak muaj para zgjedhjeve parlamentare të majit 2025, mund të ndikonte në komunikimin politik dhe në aksesin e qytetarëve ndaj informacioneve të larmishme.
Ato kërkuan më shumë transparencë në proces dhe një konsultim më të gjerë me shoqërinë, duke argumentuar se për një çështje të tillë duhet të përfshihen jo vetëm prindërit dhe mësuesit, por edhe grupime të tjera të shoqërisë.
Çfarë pritet tani
Pas këtij vendimi, TikTok pritet të jetë i aksesueshëm përsëri në të gjithë Shqipërinë, ndërsa institucionet shtetërore do të monitorojnë zbatimin e masave të sigurisë dhe mbrojtjes së të dhënave, sipas legjislacionit në fuqi.
Vendimi i qeverisë:
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të neneve 10, pika 1, 26, pika 212 pika, 2, 174, 177, pika 5, të ligjit nr.54/2024, “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë”, të neneve 32, pika 4, 32/1, 42 e 46, të ligjit nr. 97/2013, “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe të pikës 4, të nenit 27, të ligjit nr. 18/2017, “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijës”, me propozimin e Zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, të ministrit të Arsimit, të ministrit të Drejtësisë, të ministrit të Punëve të Brendshme dhe të ministrit të Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Këshilli i Ministrave
1. Heqjen e masave të përkohshme për ndërprerjen e aksesit në platformën on-line “Tik Tok” në territorin e Republikës së Shqipërisë, pas adresimit të problematikave në fushën e sigurisë publike dhe sociale në mjedisin digjital.
2. Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibemetike (AKSK), në bashkëpunim me entet rregullatore të fushës, ndërmerr veprimet e nevojshme për realizimin e heqjes së masave për ndërprerjen e aksesit të kësaj platforme, duke respektuar edhe dispozitat ligjore për mbrojtjen të dhënave personale, në përputhje me legjislacionin në fuqi në territorin e Republikës së Shqipërisë.
3. Vendimi nr.151, datë 6.3.2025, i Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të përkohshme për shmangien e ndikimeve negative të platformës on-line “Tik Tok”, shfuqizohet.
4. Ngarkohen Ministria e Arsimit, Ministria e Drejtësisë, Ministri lafrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Punëve të Brendshme. Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe autoritetet rregullatore sektoriale për zbatimin e këtij vendimi.
Kujtojmë se rreth 20 organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dënuan asokohe vendimin e Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, duke e cilësuar vendimin një “kufizim ekstrem.”
Po ashtu ato deklaruan se se bllokimi i aksesit në platformë, në periudhën parazgjedhore, (pasi më 11 maj 2025 mbaheshin zgjedhjet Parlamentare), ishte “veçanërisht shqetësues” për shkak se dëmtonte komunikimin e partive politike, veçanërisht me votuesit e rinj si dhe gërryente aftësinë e qytetarëve për të pasur akses në informacion të larmishëm para se të merrnin vendimin se për kë duhet të votojnë.
Organizatat vërenë gjithashtu që ndërhyrja e Ramës në këtë proces ka mungesë akute transparence dhe se procesi, që sipas tij është kryer, ai i konsultimit me 65 mijë prindër dhe mësues, kishte mangësi shqetësuese të provave se ka ndodhur dhe që ky proces konsultimi të jetë i vlefshëm, do të duhet të përfshijë të gjithë shoqërinë dhe jo vetëm kategori të caktuara të saj, si prindërit dhe mësuesit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






