

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Kryeministri Edi Rama ka udhëtuar drejt Romës për të zhvilluar një vizitë zyrtare në Vatikan, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij Linda Rama dhe një delegacion shqiptar.
Sipas njoftimit zyrtar, Rama do të vizitojë Pallatin Apostolik të Vatikanit, ku do të pritet në oborrin “San Damaso” nga Prefekti i Shtëpisë Papnore dhe përfaqësues të Selisë së Shenjtë. Kjo pritje do t’i paraprijë audiencës zyrtare që Kryeministri do të ketë me Papa Leonin XIV, e cila do të zhvillohet në Bibliotekën Papnore.
Gjatë qëndrimit në Vatikan, vizita do të vijojë në disa prej ambienteve më të rëndësishme të kompleksit apostolik, përfshirë Bazilikën e Shën Pjetrit, Stanza delle Lacrime, Cappella Paolina, Sala Reggia, Kapelën Sistine, si dhe në altarin e Shën Gjon Palit II.
Në përfundim të vizitës, Kryeministri Rama dhe bashkëshortja e tij do të nderojnë edhe vendvarrimin e Papa Françeskut, i cili ndodhet në bazilikën Santa Maria Maggiore.
Agenda e vizitës përfshin gjithashtu takime të tjera zyrtare, mes të cilave edhe një takim me Kardinalin Pietro Parolin, Sekretar Shteti i Vatikanit.
Vizita zhvillohet në kuadër të marrëdhënieve tradicionale mes Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, si dhe dialogut ndërinstitucional mbi çështje me interes të përbashkët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






