

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Prokuroria e Tiranës ka nisur një hetim penal ndaj disa subjekteve që ofrojnë shërbime postare private në kryeqytet, në kuadër të dyshimeve për evazion fiskal.
Sipas njoftimit zyrtar, hetimi është regjistruar në bazë të nenit 180 të Kodit Penal dhe ka ardhur pas verifikimeve paraprake që evidentuan parregullsi në lidhje me mallra të tregtuara pa dokumentacion tatimor.
Me autorizim të gjykatës, organet proceduese kanë ushtruar kontrolle në disa subjekte, ku deri më tani janë sekuestruar rreth 13 milionë lekë, si dhe sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore përkatëse.
Gjithashtu, janë sekuestruar dokumente dhe materiale të tjera që, sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, përbëjnë prova të dyshuara për veprimtari të kundërligjshme, përfshirë edhe shuma parash që mendohet se rrjedhin nga aktiviteti informal.
Autoritetet bëjnë me dije se hetimet janë ende në vijim, me qëllim identifikimin e shitësve realë të mallrave, si dhe dokumentimin e plotë të skemës së dyshuar të evazionit fiskal.
Prokuroria nuk ka dhënë detaje të tjera mbi subjektet konkrete të përfshira, ndërsa pritet që në vijim të ketë informacion shtesë mbi ecurinë e procedimit penal.
Njoftimi i Prokurorisë:
Hetime subjekteve që ofrojnë shërbime postare, Prokuroria Tiranë regjistron procedim penal për evazion fiskal për mallrat që shiten pa faturë, sekuestrohen 13 mln lekë.
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë regjistron procedimin penal nr.156, viti 2026, për veprën penale të evazionit fiskal, të parashikuar nga neni 180 i Kodit Penal.
Pas lejimit nga gjykata, me kërkesë të organit procedues, si rrjedhojëu ushtruan kontrolle në disa subjekte që ofrojnë shërbime postare në kryeqytet.
Deri më tani, nga kontrollet janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mallrash të marra në dorëzim pa fatura tatimore, 13 milionë lekë, si dhe dokumentacion shoqërues, prova që sipas Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Tiranë, tregojnë paligjshmëri në drejtim të evazionit fiskal, si dhe shuma parash që dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti i paligjshëm.
Hetimet vijojnë për identifikimin e shitësve realë dhe dokumentimin e plotë të veprimtarisë së kundërligjshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






