Transmetuar më 04-02-2026, 13:01

Kryeministri Edi Rama nisi "luftën" edhe me prokurorët mesditën e sotme, pak orë pasi i kishte lëvduar ata se nuk ishin përzier në kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash.

Por kur Rama sot përsëriti këtë pretendim, ata e përgënjeshtruar dhe pak minuta më vonë dolën me një qëndrim ku jo vetëm mbështesnin gjyqtarët për rritje pagash, por gjithashtu akuzonin direkt Edi Ramën se po bën fushatë të qëllimshme për të nxitur popullin kundër magjistratëve.

Rama fillimisht e quan shoqatën si të re dhe madje ende të paregjistruar sipas ligjit.

Sipas faqes zyrtare të prokurorisë së Përgjithshme, shoqata është krijuar vitin e kaluar.

Më tej Rama ndalet gjatë te çështja e pagave kurse në fund hedh akuza të rënda me citim nga Komiteti i Torturës:

"Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!"

Reagimi i plotë:

"Paska dalë edhe një shoqatë prokurorësh e re – ende e paregjistruar deri tani sipas ligjit, po brenda afatit për regjistrim – e cila ka deklaruar solidaritet me shoqatat e gjyqtarëve, duke kërkuar “që të mos ulen pagat”!!!

Pra, orvajtja absurde e kategorisë më të privilegjuar të piramidës së pagave të shtetit shqiptar, për t’ia rritur akoma më shumë pagat vetes me gjyq, tani na del si përpjekja e një grupi të diskriminuar nga qeveria, për të ndaluar uljen e pagave!!!

A e kuptoni apo jo se çfarë quhet “ulje pagash” në fillin e çuditshëm të këtij arsyetimi?

Mosngritja e pagave aq sa duan shoqatat e gjyqtarëve!!!

Pra, shqip, një pagë që s’më ngrihet sa ç’dua unë, është një pagë e ulur!!!

Duket totalisht e pabesueshme, po është shumë fatkeqësisht e vërtetë!

Absurditet total pra, sepse vetëm s’ka pasur asnjë tentativë, po as nuk i ka shkuar mendja askujt për të ulur pagat e gjyqtarëve!

Madje kaq e madhe është vëmendja e qeverisë ndaj pushtetit gjyqësor, sa prej thuajse një viti tanimë po punojmë për të mundësuar ndërtimin e një Poli Drejtësie, si askund në Ballkan, që edhe kushtet e punës së trupës së drejtësisë të jenë njësoj si pagat, më të mirat në rajon!

Por ndërkohë, s’mund të rri dot pa i shtruar një pyetje kësaj shoqatës së re:

Po për shqelmimin e vazhdueshëm si askund në Europë të prezumimit të pafajësisë dhe kthimin e arresteve me burg pa gjyq në një praktikë rutinë, e cila e ka njollosur Shqipërinë botërisht, duke na renditur si dele të zezë në bisht të kontinentit europian dhe kthyer në subjekt publik shqetësimi të Komitetit të Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, a keni ndonjë gjë për të deklaruar?!

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit