Transmetuar më 04-02-2026, 10:27

Prishtinë, 4 shkurt 2026

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka miratuar ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), i cili nuk kishte përfshirë listën e kandidatëve të këtij subjekti në shpalljen e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit.

Në vendimin e publikuar më 3 shkurt, PZAP e cilëson vendimin e KQZ-së të datës 31 janar si të pajustifikuar dhe në kundërshtim me dispozitat ligjore në fuqi. Sipas Panelit, rezultati përfundimtar i zgjedhjeve mund të shpallet vetëm pasi të ketë përfunduar plotësisht procesi i numërimit dhe rinumërimit për të gjitha subjektet politike, duke i përfshirë ato “pa përjashtim”.

“Çdo shpallje e pjesshme e rezultatit përfundimtar nuk ka bazë ligjore dhe bie ndesh me parimet e barazisë së subjekteve zgjedhore, sigurisë juridike dhe transparencës së procesit zgjedhor”, thuhet në vendim, ku theksohet se veprimi i KQZ-së është gjithashtu në kundërshtim me praktikat e mira zgjedhore dhe standardet e Komisionit të Venecias.

Vendimi i PZAP-së mund të ankimohet në Gjykatën Supreme brenda 48 orëve. Ndërkohë, Paneli ka shqyrtuar edhe gjashtë ankesa të tjera që lidhen me procesin zgjedhor, të cilat i ka rrëzuar si të pabazuara.

Lista Serbe, partia kryesore e komunitetit serb në Kosovë me mbështetje nga Beogradi, e kishte dorëzuar ankesën më 2 shkurt, duke e cilësuar vendimin e KQZ-së si të paligjshëm, diskriminues dhe politikisht të motivuar. Pas vendimit të PZAP-së, kjo parti e vlerësoi atë si “fitore të ligjit dhe vullnetit zgjedhor të qytetarëve”.

KQZ-ja kishte shpallur më 31 janar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, por gjatë mbledhjes kishte miratuar listat e kandidatëve të të gjitha subjekteve politike, përveç Listës Serbe. Vendimi ishte marrë me tre vota pro, dy kundër nga anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe me abstenim nga anëtarët e tjerë.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, e kishte cilësuar si të pakuptimtë mosmiratimin e listës së kandidatëve të Listës Serbe, duke argumentuar se afatet ligjore për ankesa kishin përfunduar dhe se procesi i rinumërimit nuk parashikon kundërshtime të mëtejshme.

Vendimi i KQZ-së kishte nxitur reagime edhe ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian shprehën shqetësim, duke theksuar se çdo veprim që cenon të drejtën e qytetarëve për përfaqësim demokratik dëmton besueshmërinë e procesit zgjedhor.

Në Kuvendin e Kosovës, dhjetë ulëse janë të rezervuara për komunitetin serb. Në zgjedhjet e dhjetorit, Lista Serbe fitoi nëntë mandate, ndërsa një mandat iu takua Nenad Rashiqit nga Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë. Çështja e përfaqësimit të komunitetit serb ka qenë objekt debatesh të vazhdueshme politike dhe juridike, përfshirë edhe një vendim të fundit të Gjykatës Kushtetuese që përcakton se nënkryetari i Kuvendit nga ky komunitet duhet të vijë nga partia më e madhe parlamentare serbe.

Certifikimi përfundimtar i rezultateve nga KQZ-ja pritet vetëm pas përfundimit të afatit të ankesave në Gjykatën Supreme, hap që do t’i hapë rrugë formimit të institucioneve të reja të Kosovës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit