Transmetuar më 04-02-2026, 09:58

Shoqata e Prokurorëve rreshtohet në krah të gjyqtarëve për çështjen kushtetuese të pagave

Shoqata e Prokurorëve të Republikës së Shqipërisë ka reaguar pas zhvillimeve të fundit dhe debatit publik lidhur me gjykimin kushtetues për pagat e magjistratëve. Në një qëndrim zyrtar, ajo shpreh mbështetje për argumentet e paraqitura nga shoqatat e gjyqtarëve para Gjykatës Kushtetuese, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së parimeve të shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së sistemit të drejtësisë.

Reagimi i prokurorëve vjen pak minuta pasi Kryeministri Edi Rama në mënyrë të përsëritur sot, lëndoi publikisht prokurorët duke thënë se ata nuk u përfshinë në këtë debat.

Shoqata nënvizon se debatet publike mbi drejtësinë duhet të zhvillohen në mënyrë të përgjegjshme, të balancuar dhe me respekt për rolin kushtetues të magjistratëve. Sipas saj, çdo retorikë që synon të nxisë opinionin publik kundër magjistratëve nuk kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës.

Në reagim theksohet se çdo ndryshim ligjor që sjell regres në standardet e mëparshme, përfshirë uljen e pagave të magjistratëve, përbën cenim të garancive kushtetuese dhe të pavarësisë institucionale.

Shoqata e Prokurorëve vë në dukje se në një shtet demokratik, pavarësia e Gjykatës Kushtetuese dhe e sistemit të drejtësisë është një parim themelor që duhet respektuar nga të gjithë aktorët institucionalë dhe publikë, veçanërisht në faza të ndjeshme para vendimmarrjes. Sipas saj, gjykimi kushtetues i inicuar nga shoqatat e gjyqtarëve duhet të zhvillohet pa presione të jashtme dhe pa instrumentalizim të opinionit publik.

Në përfundim, Shoqata shpreh besimin e saj të plotë në Gjykatën Kushtetuese si autoriteti legjitim për vendimmarrjen përfundimtare dhe deklaron se mbështet çdo përpjekje që synon forcimin e rendit kushtetues, pavarësinë e drejtësisë dhe mbrojtjen e standardeve demokratike në vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit