Transmetuar më 04-02-2026, 09:27

Tiranë, 4 shkurt 2026 – Kryeministri Edi Rama ka vijuar kritikat e forta ndaj kërkesave të gjyqtarëve për rritje pagash, duke i akuzuar ata për tejkalim kompetencash, presion institucional dhe përfshirje në debat politik, në kundërshtim me parimin e paanësisë së pushtetit gjyqësor.

Në një deklaratë publike, Rama hodhi poshtë pretendimet për “linçim” nga ana e gjyqtarëve, duke theksuar se qëndrimi i tij nuk përbën sulm personal, por ngritje të një problemi serioz me ndikim të drejtpërdrejtë në buxhetin e shtetit.

“Unë e kam provuar linçimin dhe është diçka krejt tjetër. Këtu nuk është përmendur asnjë emër dhe nuk është fyer askush. Është ngritur një problem i madh dhe serioz”, u shpreh Rama.

Kryeministri theksoi se kërkesa e Shoqatës së Gjyqtarëve parashikon një kosto shtesë prej rreth 37 milionë eurosh në vit nga buxheti i shtetit, vetëm për rritjen e pagave të gjyqtarëve, duke e cilësuar këtë kërkesë si të pajustifikuar dhe të pabazuar ligjërisht.

Sipas Ramës, propozimi parashikon që paga e një gjyqtari të shkallës së parë të rritet nga 3 360 euro në 5 300 euro, ajo e gjyqtarëve të apelit nga 3 480 euro në 5 500 euro, ndërsa paga e gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë të shkojë në 5 800 euro në muaj.

Ai shtoi se në kërkesë përfshihet edhe rritja e pagave të prokurorëve të SPAK-ut deri në 9 800 euro, duke theksuar se kjo strukturë, sipas tij, nuk i është bashkuar kësaj përpjekjeje, për çka shprehu respekt.

“Ju doni t’i rrisni vetes pagat me rreth 3 mijë euro në muaj, përmes një vendimi gjykate. Kurrë më parë nuk e keni pasur këtë pushtet”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se pagat aktuale të gjyqtarëve janë ndër më të lartat në rajon, duke i krahasuar ato me vendet fqinje dhe me Bashkimin Europian.

“Pagat tuaja janë goxha më të larta se në Rajonin e Ballkanit, më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, dhe sot janë të barabarta me një vend të BE-së si Greqia. Ju sot i keni pagat sa në Greqi dhe kërkoni t’i rrisni me nga 3 mijë euro në muaj. Në emër të çfarë? Në emër të ligjit dhe Kushtetutës? E pavërtetë. Nuk ka ligj dhe Kushtetutë që ju jep këtë të drejtë”, përfundoi Rama.

Debati për pagat e gjyqtarëve ka intensifikuar përplasjet mes ekzekutivit dhe pushtetit gjyqësor, duke rikthyer në vëmendje balancën mes pavarësisë së drejtësisë dhe përgjegjësisë ndaj financave publike.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit