

Tiranë, 3 shkurt 2026 – Publikimi i dokumenteve hetimore nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë mbi çështjen e Jeffrey Epstein ka rikthyer vëmendjen globale ndaj një prej skandaleve më të bujshme të viteve të fundit, duke nxitur reagime dhe interes të shtuar edhe në Shqipëri.
Sipas statistikave të analizuara nga eksperti i IT-së, Tomi Kallanxhi, Shqipëria renditet në top 5 vendet që kanë shfaqur interesin më të lartë në kërkimet online lidhur me dosjen Epstein. Të dhënat bazohen në kërkimet e përdoruesve nga Shqipëria dhe Kosova.
Kallanxhi thekson se përmendja e emrit të ish-presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e interesit të qytetarëve, duke nxitur kërkime të shtuara për këtë çështje në internet.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike të interesit brenda vendit, deri në pasditen e një dite më parë, Tirana kryesonte listën e qyteteve me numrin më të madh të kërkimeve për emrin Jeffrey Epstein. Megjithatë, të dhënat më të fundit tregojnë se Shkodra ka kaluar në vendin e parë.
“Bazuar në analizën e kërkimeve online të shqiptarëve dhe shqiptarëve të Kosovës, vërehet një rritje e menjëhershme e interesit pas përmendjes së disa emrave publikë. Aktualisht, Shkodra kryeson kërkimet për Jeffrey Epstein, e ndjekur nga Tirana, Berati, Elbasani, Fieri, ndërsa në fund të listës renditet Lezha”, deklaroi Kallanxhi.
Dokumentet e publikuara nga autoritetet amerikane kanë rihapur debatin mbi rrjetin e kontakteve të Epstein, mbrojtjet e mundshme institucionale dhe arsyet e heshtjes së gjatë që ka shoqëruar këtë çështje ndër vite.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






