

Situatë e rëndë në Gaza: humbje jetësh pas sulmeve ajrore, mes viktimave edhe fëmijë shumë të vegjël
Situata humanitare në Rripin e Gazës është përkeqësuar ndjeshëm pas sulmeve ajrore të kryera në orët e para të mëngjesit, ku raportohet se të paktën 10 palestinezë kanë humbur jetën. Mes viktimave bëhet e ditur se janë edhe dy foshnja.
Sipas burimeve lokale, objektiva të goditura kanë qenë edhe zona ku ishin vendosur tenda të personave të zhvendosur në disa pjesë të Gazës. Në lagjen Tuffah, në qytetin e Gazës, raportohet se katër persona kanë humbur jetën, përfshirë një foshnjë, ndërsa në zonën Zeitoun tre persona të tjerë, mes tyre një tjetër foshnjë, janë prekur nga bombardimet.
Në jug të Gazës, në Khan Younis, tre persona kanë humbur jetën pas goditjes së një tende ku strehoheshin civilë të zhvendosur.
Ndërkohë, operacionet ushtarake vijojnë edhe në Bregun Perëndimor. Në Jeriko, gjatë një sulmi të ndodhur mbrëmjen e së martës, raportohet për një viktimë dhe disa të plagosur.
Sulmet në Gaza kanë vazhduar edhe gjatë mëngjesit të së mërkurës, me bombardime të reja në zonën e Khan Younis, sipas raportimeve mediatike ndërkombëtare.
Kufizime në pikën e Rafahut
Dy ditë më parë është hapur pika kufitare e Rafahut, vetëm për kalim këmbësor dhe nën kontroll të rreptë izraelit. Ky hap, i lidhur me marrëveshjen e armëpushimit, ka shoqëruar një rritje të tensioneve dhe sulmeve në Gaza.
Kalimi lejohet kryesisht për persona të plagosur dhe të sëmurë që kërkojnë trajtim jashtë territorit, ndërsa autoritetet lokale shëndetësore vlerësojnë se rreth 20 mijë palestinezë kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






