Transmetuar më 04-02-2026, 08:21

Spanja ka vendosur kufizime më të rrepta për përdorimin e rrjeteve sociale nga të miturit, duke ndjekur shembullin e Francës dhe Australisë. Kryeministri spanjoll, Pedro Sánchez, deklaroi në Samitin Botëror të Qeverive në Dubai se vendi do të ndalojë aksesin e fëmijëve nën moshën 16 vjeç në rrjetet sociale dhe do t’u kërkojë platformave të zbatojnë sisteme të detyrueshme për verifikimin e moshës.

“Fëmijët tanë janë të ekspozuar në një hapësirë ku nuk duhet të jenë kurrë vetëm… Kjo nuk do të pranohet më,” tha Sánchez. “Ne do t’i mbrojmë ata nga ‘Perëndimi i Egër’ digjital.”

Ai shtoi se qeveria e tij do të paraqesë javën e ardhshme edhe një projektligj të ri, sipas të cilit drejtuesit e rrjeteve sociale do të mbajnë përgjegjësi ligjore për përmbajtje të paligjshme dhe për përmbajtje që nxit urrejtje.

Në dhjetor, Australia u bë vendi i parë që ndaloi përdorimin e rrjeteve sociale për fëmijët nën 16 vjeç. Zbatimi i këtij vendimi po ndiqet nga afër edhe nga vende të tjera si Britania e Madhe dhe Franca, të cilat po shqyrtojnë masa të ngjashme të bazuara në moshë.

Edhe Danimarka ka njoftuar se do të ndalojë aksesin në rrjetet sociale për të miturit nën 15 vjeç, megjithatë prindërit do të kenë të drejtën të lejojnë përdorimin e disa platformave për fëmijët mbi 13 vjeç.

Së fundi dje, qeveria greke njoftoi se do të ndalojë rrjetet sociale për fëmijët deri në 15 vjeç, raporton noa.al.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit