Transmetuar më 04-02-2026, 07:58

SHBA – Elon Musk ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, pas njoftimit të këtij të fundit se qeveria spanjolle po përgatit masa për të ndaluar përdorimin e mediave sociale nga fëmijët nën moshën 16 vjeç.

Sanchez deklaroi se iniciativa synon mbrojtjen e fëmijëve nga ajo që e cilësoi si “perëndimi i egër dixhital”, si dhe forcimin e përgjegjësisë së kompanive teknologjike për përmbajtjet e dëmshme në platformat e tyre.

Reagimi i Musk erdhi pasi kryeministri spanjoll e kritikoi publikisht përdorimin e platformës X nga ana e miliarderit për, sipas tij, “përforcimin e dezinformimit”, lidhur me vendimin e qeverisë spanjolle për të legalizuar rreth 500 mijë emigrantë të parregullt dhe azilkërkues. Sanchez theksoi gjithashtu se vetë Musk është emigrant.

Në një postim në X, Musk përdori tone të ashpra ndaj kryeministrit spanjoll, duke e cilësuar atë si “tiran” dhe “tradhtar të popullit spanjoll”, shprehje që u shoqëruan edhe me gjuhë fyese.

Sipas raportimit të Reuters, Spanja nuk është i vetmi vend që po shqyrton masa kufizuese ndaj mediave sociale për të miturit. Edhe Greqia pritet të shpallë një ndalim të ngjashëm për fëmijët nën 15 vjeç. Të dy vendet duket se po ndjekin shembullin e shteteve si Britania dhe Franca, të cilat kanë ashpërsuar rregullat për platformat dixhitale.

Australia, në dhjetor, u bë vendi i parë në botë që ndaloi zyrtarisht aksesin në mediat sociale për fëmijët nën moshën 16 vjeç, duke hapur një debat global mbi rolin e shteteve në rregullimin e hapësirës dixhitale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit