Transmetuar më 03-02-2026, 22:53

Mediat libiane raportojnë se Saif al-Islam Gaddafi, djali i ish-udhëheqësit të Libisë, Muammar Gaddafi, dyshohet të ketë vr*arë në banesën e tij pranë qytetit Zintan, në perëndim të vendit.

Sipas raportimeve, katër persona të armatosur kryen një atentat ndaj tij. Deri tani, nuk janë dhënë detaje mbi identitetin e autorëve apo motivet e mundshme të sulmit.

Lajmi u konfirmua nga Abdullah Othman, këshilltari politik i Saif al-Islam, përmes një postimi të shkurtër në rrjetet sociale, pa dhënë detaje mbi rrethanat e ngjarjes. Ekipi politik i Gaddafit ka publikuar gjithashtu një deklaratë zyrtare, duke shprehur pikëllimin për vdekjen e tij.

Kush ishte Saif al-Islam Gaddafi

Saif al-Islam Gaddafi ishte një nga figurat më të njohura dhe më kontroverse të politikës libiane pas vitit 2011. Ai konsiderohej për shumë vite si pasardhësi politik i babait të tij, Muammar Gaddafi, i cili u rrëzua dhe u vr*a gjatë kryengritjes popullore dhe ndërhyrjes ndërkombëtare.

Pas rënies së regjimit, Saif al-Islam u arrestua nga grupe të armatosura në Zintan dhe qëndroi në paraburgim për disa vite, para se të lirohej në bazë të një amnistie. Në vitet e fundit, ai kishte tentuar të rikthehej në politikë dhe shprehur ambicie për zgjedhjet presidenciale, por procesi mbeti i bllokuar për shkak të krizës së vazhdueshme politike dhe të sigurisë në vend.

Emri i tij ka qenë gjithashtu i lidhur me akuza ndërkombëtare për krime gjatë konfliktit të vitit 2011.

Vdekja e Saif al-Islam Gaddafit pritet të ketë një ndikim të madh politik dhe simbolik në Libinë e përçarë, ku rivalitetet mes grupeve të armatosura dhe fraksioneve politike vazhdojnë të kërcënojnë stabilitetin e vendit.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit