

Datancenteri i parë në Shqipëri pritet të ndërtohet së shpejti nga kompania izraelite ADC.
Projekti, i cili do të ndërtohet në një zonë të lirë tregtare pranë Tiranës, pritet të kushtojë rreth 100 milionë euro dhe do të bazohen në procesorët grafikë Robin të Nvidia-s.
Qendra e të dhënave do të ofrojë një kapacitet fillestar prej 32 megavatësh, me mundësi zgjerimi deri në 100 megavatë.
ADC është në pronësi të përbashkët të kompanisë Happy Technologies (80%), një kompani e specializuar në siguri kibernetike dhe teknologji kompjuterike, në pronësi të Roi Shaposhnik, Noam Frank, Shlomi Avni dhe Itai Melchior; dhe të kompanisë DIT (20%), një kompani konsulence për qendër të dhënash, udhëhequr nga ekspertët Zvika Friedman, Nir Poltorak dhe Dan Carmi.
Leja për ndërtim u miratua brenda vetëm 60 ditëve. Zona e lirë tregtare TEDA, ku do të ngrihet qendra, është ende në ndërtim, por infrastruktura për furnizim me energji elektrike është vendosur paraprakisht. Po ashtu, kompania kombëtare e energjisë elektrike po ndërton një nënstacion të dedikuar për këtë projekt, raporton Globes.
Qendra e të dhënave do të furnizohet me energji të gjelbër nga burime hidroelektrike, duke e bërë projektin unik në rajon për shkallën e vet të gjelbërimit. Në aspektin financiar, ADC ka siguruar një linjë kredie nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) që mbulon 75% të kostos së projektit.
Edhe para përfundimit të ndërtimit, qendra ka siguruar tre klientë kryesorë: kompaninë shqiptare të teknologjisë Infosoft, një kompani gjermane storage dhe një klient qeveritar shqiptar. Sipërmarrësit e qendrës shohin potencial të madh rritjeje me klientë evropianë dhe amerikanë, të cilët kërkojnë qendra për procesim të inteligjencës artificiale të mbështetura nga energjia e gjelbër, duke u bërë një alternativë ndaj qendrave në SHBA, ku ekziston një ngërç në zhvillimin e qendrave të të dhënave dhe centralet elektrike.
Marrëdhëniet Izrael–Shqipëri janë forcuar ndjeshëm në dy vitet e fundit, veçanërisht pas një sulmi kibernetik iranian ndaj Tiranës në 2022, që bëri që Shqipëria të fillonte të përdorte teknologji izraelite për mbrojtjen e qeverisë dhe organizatave private. Gjatë luftës në Gaza, marrëdhëniet mes vendeve u forcuan edhe më shumë, me vizitën e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Izrael.
Pas marrëveshjes së armëpushimit, kompania izraelite Elbit Systems nënshkroi një kontratë për furnizimin e sistemeve të artilerisë dhe dronëve për ushtrinë shqiptare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






