

I dyshuar për 31 vjedhje banesash në të gjithë vendin, del para gjykatës angleze
Një 29-vjeçar shqiptar ka dalë para gjykatës pasi akuzohet për një seri të gjerë vjedhjesh në banesa, të shpërndara në disa zona të Anglisë.
Sipas autoriteteve, 14 nga ngjarjet e dyshuara kanë ndodhur në qarkun Kent, konkretisht në zona si Sevenoaks, Tonbridge dhe Ashford. Hetimet tregojnë se në shumicën e rasteve, autori i maskuar ka thyer dritare ose dyer xhami për të hyrë në banesa, duke vjedhur bizhuteri dhe para.
I dyshuari, Gledis Uka, 29 vjeç, pa adresë të përhershme banimi, u arrestua nga policia e Kent-it në Essex, të premten. Ai u akuzua zyrtarisht më 31 janar për 31 raste vjedhjeje dhe dy tentativa për vjedhje.
Uka u paraqit sot në Gjykatën e Magjistraturës në Sevenoaks, ku gjykata vendosi që ai të mbahet në paraburgim.
Sipas njoftimit zyrtar, përveç Kent-it, rastet e tjera të dyshuara përfshijnë prona në qarqet Berkshire, Bristol, Buckinghamshire, Essex, Suffolk dhe Surrey.
29-vjeçari pritet të dalë sërish para drejtësisë në Gjykatën e Kurorës në Maidstone, më 2 mars..
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






