

Henrik Hoxha rrëfen në GJKKO vrasjet me pagesë: 70–100 mijë euro për çdo ekzekutim
I akuzuar nga SPAK si vrasës me pagesë, Henrik Hoxha, të cilit gjatë hetimeve iu hoq statusi i bashkëpunëtorit të drejtësisë, ka dëshmuar të martën në Gjykatën e Posaçme në kuadër të procesit gjyqësor të dosjes së njohur si “Plumbi i artë”.
Për shkak të gjendjes shëndetësore, Hoxha qëndroi ulur në kafazin e sallës së gjyqit, ndërsa dha me qetësi dëshmi të detajuara për vrasjet ku, sipas tij, kishte marrë pjesë si ekzekutor.
Ekzekutimi i Dorian Shkozës në Durrës
Duke iu referuar vrasjes së Dorian Shkozës në vitin 2020 në Durrës, ku mbeti i vrarë edhe Anxhelo Avdia, Hoxha deklaroi se i ishte premtuar shuma prej 70 mijë eurosh nga Nuredin Dumani. Ai tregoi se ishte afruar pranë servisit të familjes Haxhiaj me një automjet që drejtohej nga Elio Bitri.
“Elio më tha: ‘Ja ku janë’. Ishin tre persona në trotuar. Qëllova nga brenda makinës. Njëri mbeti në vend. Doriani u rrëzua pak më tutje, ndërsa i treti iku me vrap. Zbrita nga makina dhe iu afrova. E pyeta nëse ishte Doriani. Më tha jo, duke treguar nga ai që kishte ikur. Pyeta Elion nëse ishte ai, dhe pasi më tha po, e qëllova”, rrëfeu Hoxha para trupës gjykuese.
Sipas tij, për këtë atentat kishte marrë vetëm 35 mijë euro, ndonëse shuma e premtuar ishte më e lartë.
Plani për vëllezërit Haxhia
Hoxha foli edhe për planifikimin e vrasjes së Besmir Haxhisë, ku u vra edhe vëllai i tij, Viktori. Sipas tij, objektivi real ishte Altin Ndoci, por për shkak se konsiderohej shënjestër e vështirë, u vendos që fillimisht të vritej një nga vëllezërit Haxhia, me qëllim që Ndoci të shfaqej në ceremoninë mortore.
“Qëllimi ishte që Altin Ndoci të vinte në varrim dhe aty të ekzekutohej. Sipas Nuredinit, ata ishin të lidhur me Talo Çelën”, deklaroi Hoxha.
Ai tregoi se në këtë atentat kishte marrë pjesë së bashku me Nuredin Dumanin, të veshur me uniforma OFL dhe të armatosur rëndë, ndërsa automjeti drejtohej nga Klevis Alla.
“Në Shënavlash, kur kaloi makina e tyre, shoferi ynë vuri re se Besmiri ishte me vëllain. Ia tha Nuredinit dhe ai u përgjigj: ‘Mirë, i vrasim të dy’. I ndoqëm dhe kur u bllokuan në trafik, dolëm nga një rrugë anësore dhe hapëm zjarr. Qëlluam me breshëri. Nuredini zbriti, por arma iu bllokua, pastaj edhe tjetra. Mora unë armën dhe qëllova disa herë. Unë godita shoferin”, tregoi Hoxha.
Vrasja e Emiliano Ramzanit në Elbasan
I pandehuri pranoi gjithashtu përfshirjen direkte në vrasjen e Emiliano Ramzanit në Elbasan. Ai tha se fillimisht ishte planifikuar eliminimi i dy vëllezërve Ramazani për shumën 150 mijë euro, por më pas u vendos të vritej vetëm njëri prej tyre, me pagesë 100 mijë euro.
Sipas Hoxhës, ekzekutor ishte Skerdi Tasi, ndërsa vetë ai kishte rolin e shoferit. Plani parashikonte që Ramazani të qëllohej në momentin që do të hynte në banesë.
“I thashë Skerdit që nëse e shihte se po hynte në shtëpi, të mos e linte. Nëse do të vinte nga ana ime, do ta qëlloja unë me kallash”, deklaroi ai.
Pas ngjarjeve
Hoxha tha se pas atentateve kthehej në Tiranë dhe nuk merrte masa të veçanta sigurie. Megjithatë, u shpreh se ishte shqetësuar kur kishte mësuar për arrestimin e Klevis Allës. Sipas tij, Nuredin Dumani i kishte thënë të mos shqetësohej, ndërsa vetë ishte habitur kur pa në media se Alla kishte deklaruar se në automjet ndodheshin edhe Talo Çela dhe Altin Ndoci.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






