

Tiranë, 3 shkurt 2026
Autoritetet dhe ekspertët e sigurisë kibernetike ngrenë alarmin për një skemë të re mashtrimi online, ku keqbërësit përdorin emrin e Postës Shqiptare për të tentuar vjedhjen e të dhënave personale dhe financiare të qytetarëve.
Mashtrimi realizohet përmes mesazheve në telefon, ku qytetarët njoftohen se kanë një pako të padorëzuar dhe për ta marrë atë duhet të klikojnë në një link të dërguar. Pas klikimit, përdoruesit orientohen drejt faqeve të rreme që kërkojnë të dhëna personale ose pagesa.
Ekspertët theksojnë se kjo është një nga metodat më të përdorura së fundmi nga hakerat, duke shfrytëzuar besimin e qytetarëve te institucionet shtetërore.
Një ekspert IT sqaron se Posta Shqiptare nuk kryen asnjë pagesë përmes faqeve të internetit apo linkeve të jashtme.
“Posta nuk e merr pagesën nëpërmjet një website apo URL-je. Nëse përfshihen palë të treta, si kompanitë e zhdoganimit, pagesa bëhet vetëm përmes faturës dhe nëpërmjet një IBAN-i të bankave shqiptare, jo të bankave të huaja,” u shpreh ai.
Sipas ekspertëve, çdo mesazh që kërkon pagesë online në emër të një institucioni shtetëror duhet të konsiderohet i dyshimtë.
Në ditë dërgohen qindra mesazhe të tilla, të cilat burojnë kryesisht nga vjedhja masive e të dhënave personale përmes faqeve të ndryshme internet. Të dhënat shiten më pas në tregun e zi online dhe përdoren për mashtrime masive.
Eksperti i sigurisë kibernetike, Kallanxhi, thekson se denoncimi i rasteve është thelbësor për të parandaluar viktima të tjera.
“Ka faqe që shesin të dhëna personale të qytetarëve nga vende të ndryshme të botës. Këta keqbërës i blejnë kontaktet dhe dërgojnë qindra mijëra mesazhe çdo ditë. Mjafton që disa persona të bien pre, por çdo rast duhet denoncuar që të mos përsëritet,” u shpreh ai.
Sipas tij, një pjesë e madhe e këtyre mashtrimeve vijnë nga vende jashtë Europës, kryesisht nga Azia, Lindja e Mesme dhe Afrika, ku aktivitetet kriminale online janë kthyer në burim të rëndësishëm të ardhurash.
Mashtrimet kibernetike mbeten një problem serioz global, ndaj qytetarët këshillohen:
të mos klikojnë linke të dyshimta
të mos japin të dhëna personale apo bankare
të verifikojnë çdo njoftim përmes kanaleve zyrtare
dhe të denoncojnë rastet në polici
Autoritetet bëjnë thirrje për vigjilencë të shtuar për të parandaluar përhapjen e këtyre skemave kriminale.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






