

Gjendja shëndetësore e Sokol Dacit, berberit 30-vjeçar që mbeti i plagosur aksidentalisht gjatë atentatit të ndodhur në Rrilë të Lezhës, paraqitet e përmirësuar. Sipas burimeve mjekësore, i riu është koshient, por vijon të mbahet i intubuar në repartin e reanimacionit.
Mjekët bëjnë me dije se plagët më të rënda janë në zonën e barkut, të cilat vazhdojnë të mbeten shqetësuese për gjendjen e tij shëndetësore. 30-vjeçari ka marrë gjithsej katër plumba në trup.
Sokol Daci ndodhej në vendin e tij të punës, në berberhanen e fshatit Rrilë, në momentin e ngjarjes dhe konsiderohet një viktimë e pafajshme e atentatit. Ai ishte bërë së fundmi baba i një fëmije 7-muajsh.
Në lidhje me ngjarjen, Policia e Lezhës ka shpallur në kërkim katër persona: tre të rinj nga fisi Ndoka, si dhe Merando Nikulajn, i cili dyshohet se ishte shënjestra e atentatit. Nikulaj ndodhej në berberhane i shoqëruar nga polici Besart Kovaçi, ky i fundit i ndaluar me urdhër të Prokurorisë për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.
Sipas hetimeve paraprake, Merando Nikulaj dhe polici Kovaçi kishin qenë më herët duke darkuar dhe më pas ishin drejtuar drejt Rrilës për t’u qethur. Dyshohet se autorët, të cilët lëviznin me dy automjete tip “Audi” dhe “Passat”, i kanë vëzhguar dhe ndjekur deri në mbërritjen e tyre në berberhane.
Burime hetimore bëjnë me dije se autorët kanë zbritur nga automjetet, disa prej tyre të armatosur me shkopinj bejsbolli, ndërsa dy persona kanë hapur zjarr me armë zjarri. Në vendngjarje ka pasur edhe shkëmbim zjarri, pasi polici ka kundërpërgjigjur.
Gjatë kontrollit në ambientet e brendshme të berberhanes është gjetur një çantë krahu me një krehër arme, por pa dokumente identifikimi, ndërsa hetuesit kanë ngritur dyshime edhe për përdorimin e një arme të dytë nga personat që ndodheshin brenda.
Shkak i ngjarjes dyshohet të jetë një konflikt i mëparshëm mes të rinjve të fisit Nikulaj dhe Ndoka, i ndodhur më 9 mars 2025 në Shëngjin. Ky episod, sipas burimeve, nuk është hetuar siç duhet në atë kohë, ndërsa zyrtarisht u raportua si aksident rrugor.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe identifikimin e autorëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






