

Me afrimin e Kupës së Botës 2026, FIFA po përballet me kritika gjithnjë e më të forta nga tifozët që synojnë të ndjekin nga afër ndeshjet e turneut më të madh të futbollit në botë.
Pakënaqësia kryesore lidhet me çmimet e larta të biletave, ndërsa vetë FIFA ka pranuar se nuk mund të ndërhyjë për të ndalur rishitjen e tyre, pasi në Shtetet e Bashkuara ky aktivitet është i ligjshëm.
Së fundmi, një tjetër element ka shtuar revoltën e tifozëve. Sipas gazetarit Henry Bushnell të “The Athletic”, FIFA ka nisur të shesë edhe vendet e parkimit pranë impianteve sportive ku do të zhvillohen ndeshjet e Botërorit 2026.
Një vend parkimi pranë stadiumit “SoFi Stadium” në Los Angeles po ofrohet me çmime që variojnë nga 250 deri në 300 dollarë amerikanë, një shifër që është konsideruar e tepruar nga tifozët.
Situata bëhet edhe më problematike për shkak të infrastrukturës së transportit në SHBA, e cila ndryshon ndjeshëm nga ajo evropiane dhe e bën të domosdoshëm përdorimin e automjeteve private për të aksesuar stadiumet.
Përveç kostos së lartë, tifozët janë ankuar edhe për distancën nga vendet e parkimit deri te stadiumet, e cila në disa raste arrin deri në rreth 1.500 metra, duke e bërë përvojën edhe më të vështirë.
Këto zhvillime po rrisin presionin ndaj FIFA-s, e cila akuzohet se po e shndërron Botërorin 2026 në një event të paarritshëm për një pjesë të madhe të tifozëve.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






