

Marie Poradeci, vajza e shkrimtarit të madh Lasgush Poradeci, është shprehur së fundmi se është duke u organizuar një event për shkrimtarin në Vjenë, nga ambasada, por familjarët nuk janë ftuar.
Ajo është shprehur se ka marrë një njoftim nga ambasadori ynë në Austri, ku njoftohej se do të vendosej një pllakë në vendin ku Poradeci ka jetuar për 10 vite, por nuk është ftuar.
“Para dy-tre ditësh mora një njoftim nga ambasadori ynë në Austri, që më njoftonte se vendosej një pllakë përkujtimore në Austri ku ka banuar babai im për 10 vjet. Unë e pyeta: ‘Ky njoftim shërben si ftesë?’ Thotë: ky është informacion. Unë, siç e mora njoftimin, e vura te faqja ime dhe më merr nënkryetarja: blie biletën, se ta paguan kryetari. I thashë: me kë po flet, keni për detyrë të më sillni ftesë. Nuk kam dalë as për viktimë, as për këtë për të kërkuar lëmoshë. Nëse e ka organizuar ambasada jonë në Austri, le të më sjellë ftesë. Duhet ta sillnin ftesën. Të gjithë informacionin, edhe atje ku do vendoset pllaka, e kam dhënë unë. Edhe në këtë prizëm, meritoja të isha atje, jo vetëm si vajza e Lasgush Poradecit” është shprehur ajo për ShqipëriaLive.
Teksa më tej është ndalur edhe te Bashkia e Pogradecit, gjë të cilën e ka bërë edhe më parë, ku sipas saj prej 35 vitesh bashkia po “tallet” me babanë e saj të ndjerë: “Edhe në këtë prizëm, meritoja të isha atje, jo vetëm si vajza e Lasgush Poradecit. Ajo që më ka indinjuar, atje ka njerëz që nuk duhet ta përfaqësojnë babain tim ose të gëzojnë mbi eshtrat e babait tim, janë bashkia e Pogradecit. Kanë 35 vite që sillen në mënyrë më mizore me babain tim. Në ’98, Pallatit të Kulturës iu vu emri “Lasgush Poradeci”, këtë pllakë e zbuloi Ismail Kadare. Ishte ngjarje e shënuar, jo që e thyen, e zhdukën, por kanë vënë ca gërma, i kanë marrë niptin dhe vulën dhe kryetari e ka bërë si qendër multifunksionale. E kanë eliminuar emrin e babait tim. Në vitin 2005 u vendos një shtator, me kalimin e kohës u konsumua.”
Ajo më tej në lot është shprehur se ka kërkuar të drejtën e babait të saj të ndjerë, shkrimtarit të madh Lasgush Poradeci, për dy vite me rradhë kudo, por nuk është dëgjuar.
“Dy vjet ku nuk kam folur, ku nuk e kam ngritur zërin, nuk ma ka dëgjuar njeri zërin. Shtëpia e babait tim, jo që nuk u bë muze, por u kthye në hajdutllëk. Vetëm fjalë, gënjeshtra dhe tallje”, u shpreh ajo.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






