Transmetuar më 03-02-2026, 18:13

Qarkullimi i automjeteve në aksin rrugor që lidh tunelin e Llogarasë me Dhërmiun dhe Himarën është bllokuar përkohësisht ditën e sotme, duke shkaktuar vështirësi për banorët dhe drejtuesit e mjeteve që qarkullojnë në këtë zonë.

Shkak i bllokimit është bërë procesi i punimeve për zgjerimin e rrugës në zonën e Palasës, ku firma kontraktore ka përdorur lëndë plasëse për shkëputjen e një masivi shkëmbor, në kuadër të hapjes së trasesë së re.

Si pasojë e shpërthimit me dinamit, një sasi e konsiderueshme inertesh dhe gurësh ka rënë mbi rrugën ekzistuese, duke e bërë atë të pakalueshme për automjetet.

Situata ka sjellë paralizimin e përkohshëm të qarkullimit në këtë segment të rëndësishëm turistik dhe strategjik të Bregut.

Menaxhimi i situatës po kryhet nga firma private që po realizon punimet, ndërsa mjetet e rënda ndodhen në terren dhe po punojnë për largimin e inerteve nga asfalti.

Autoritetet bëjnë me dije se qarkullimi do të rikthehet sapo të përfundojë pastrimi i plotë i aksit, ndërsa drejtuesve të mjeteve u kërkohet durim dhe kujdes i shtuar deri në normalizimin e situatës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit