

Detaje të rënda dhe tronditëse janë zbardhur gjatë seancës gjyqësore të dosjes “Plumbi i Artë”, ku Henrik Hoxhaj ka dhënë dëshmi të hollësishme mbi atentatet me pagesë dhe rolin e tij në disa prej ngjarjeve kriminale më të rënda të viteve të fundit.
Në dëshminë e tij, Hoxhaj ka deklaruar se pas disa episodeve kriminale, Nuredin Dumani i kishte komunikuar “porosi” për eliminimin e Altin Ndocit dhe njërit prej vëllezërve Haxhia. Sipas tij, motivi lidhej me dyshimet se këta persona kërkonin t’u atribuonin autorëve vrasjet e ndodhura në Elbasan.
Ai ka pohuar se planet për atentatet u shtynë për shkak të pandemisë së Covid-19, madje u diskutua edhe një skenar për ekzekutim gjatë ceremonive mortore, i cili nuk u realizua.
Më pas, sipas rrëfimit, u organizua atentati ndaj Besmir Haxhiajt. Hoxhaj ka treguar se ai dhe Nuredin Dumani do të ishin ekzekutorët, të armatosur me tre armë automatike dhe një pistoletë, ndërsa ishin të veshur me uniforma që imitonin OFL-në. Ai ka përshkruar ndjekjen e shënjestrave, bllokimin në trafik dhe momentin e sulmit, ku arma e Dumanit u bllokua, duke e detyruar atë të ndërhynte personalisht.
Sipas Hoxhajt, pas ngjarjes ai ka përfituar 35 mijë euro, ndërsa automjeti dhe armët janë larguar nga shoferi i grupit. Ai ka deklaruar se pas arrestimit të shoferit është shqetësuar për pasojat, por Dumani e ka siguruar se situata ishte e kontrolluar.
Në vijim të dëshmisë, Hoxhaj ka pretenduar se shoferi kishte dhënë deklarime të rreme, duke implikuar persona të tjerë, gjë që sipas tij ishte bërë me udhëzim.
Hoxhaj ka zbuluar gjithashtu se lista e atentateve të planifikuara për qytetin e Elbasanit ishte e gjatë, duke nisur nga disa emra të njohur të botës së krimit. Për disa prej tyre, ai ka pohuar se i janë ofruar deri në 150 mijë euro për ekzekutim.
Për një tjetër ngjarje kriminale, Hoxhaj ka pranuar se ka përfshirë Skerdi Tasen, i cili ka qenë ekzekutori, ndërsa ai vetë ka shërbyer si shofer. Pas vrasjes, automjeti është djegur dhe pagesa është dorëzuar disa ditë më vonë nga Nuredin Dumani.
Dëshmia e Henrik Hoxhajt, i cili fillimisht ishte pranuar si bashkëpunëtor i drejtësisë, por më pas iu hoq ky status nga SPAK, pritet të luajë një rol kyç në zbardhjen e mekanizmave të vrasjeve me pagesë dhe lidhjeve kriminale të hetuara në këtë dosje.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






