Transmetuar më 03-02-2026, 14:35

3 Shkurt 2026

Gjykata Kushtetuese nuk ka arritur të marrë një vendim lidhur me ankimin e Kryeministrit për çështjen e njohur si “Balluku”, duke shtyrë sërish shqyrtimin për një seancë tjetër.

Mbledhja në dhomë këshillimi nuk ka prodhuar një vendimmarrje përfundimtare, ndërsa pritet caktimi i një date të re për vijimin e procesit.

Qeveria i ka kërkuar Gjykatës Kushtetuese të interpretojë nenin 103 të Kushtetutës, sipas të cilit anëtarët të qeverisë gëzojnë imunitetin e deputetit, dhe të përcaktojë nëse Gjykata e Posaçme ka kompetencë të pezullojë një ministër pa autorizimin e Kryeministrit.

Sipas qëndrimit të qeverisë, SPAK dhe Gjykata e Posaçme kanë ndërhyrë në kompetencat e Kryeministrit, duke paralizuar vendimmarrjen dhe nxjerrjen e akteve në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Në anën tjetër, dy prokurorët e SPAK, Dritan Prençi dhe Dorina Bejko, kanë kundërshtuar pretendimet e qeverisë, duke theksuar se nuk ekziston konflikt kompetencash mes pushteteve dhe se pezullimi i një ministri nuk është kompetencë e Kryeministrit.

Vendimmarrja e Gjykatës Kushtetuese vjen në një moment kur SPAK i ka dorëzuar Kuvendit kërkesën për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut, çka hap rrugën edhe për arrestimin e saj.

Më herët, Gjykata e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka vendosur masën e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, si edhe ndalimin e daljes jashtë vendit.

Gjykata ka argumentuar se masa është marrë për shkak të rrezikut të prishjes së provave dhe intimidimit të dëshmitarëve, duke qenë se Balluku ushtron funksione të larta shtetërore.

Balluku dhe vartës të saj akuzohen për paracaktim të fituesve në dy tenderë publikë me vlerë totale 210 milionë euro: Tuneli i Llogarasë me vlerë 190 milionë euro dhe loti 4 i Unazës së Madhe me vlerë 20 milionë euro.

Ndërkohë, Balluku është vënë nën hetim edhe për 7 lotet e tjera të projektit të Unazës së Madhe, për të cilat janë prokuruar rreth 45.9 miliardë lekë, ose afërsisht 450 milionë euro.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit