

Një shtetas 57-vjeçar nga Kosova është dënuar nga Gjykata e Dietikonit, pranë Cyrihut, me 3 vjet e gjysmë burg dhe 3 vjet ndalim hyrjeje në Zvicër, pasi u shpall fajtor për mashtrime të gjera financiare që i shkaktuan shtetit dhe bankave zvicerane një dëm prej rreth 1.5 milionë frangash.
I njohur si “sheh-imam” dhe pretendues si udhëheqës i rreth 8 mijë besimtarëve dervishë, i pandehuri kishte ndërtuar, sipas prokurorisë, një skemë kriminale familjare ku përfshiu gjashtë anëtarë të familjes dhe dy bashkëpunëtorë. Hetimet nisën pas një bastisjeje policore në një vilë luksoze pranë Cyrihut, për të cilën ai paguante qira mujore prej 24 mijë frangash.
Sipas dosjes hetimore, shehu kishte krijuar një rrjet kompanish fiktive dhe paraqiste bilance të falsifikuara për të përfituar kredi bankare dhe ndihma shtetërore, përfshirë mbi gjysmë milioni franga nga kreditë emergjente të periudhës së pandemisë Covid-19. Ndërkohë, para autoriteteve ai deklaronte se jetonte në kushte varfërie.
Gjatë kontrollit u zbulua se familja kishte në pronësi një flotë prej rreth 120 automjetesh luksoze, përfshirë Porsche Panamera, disa modele Mercedes dhe një Hummer H2 Luxury. Vetëm për blerjen e targave speciale, të cilat në Zvicër shiten në ankand, ai kishte shpenzuar rreth 100 mijë franga.
Procesi gjyqësor zgjati gjashtë ditë, në përfundim të të cilit gjykata e dënoi të pandehurin kryesor me 42 muaj burg dhe dëbim trevjeçar nga Zvicra, ndërsa kërkesa e prokurorisë për ndalim 15-vjeçar u refuzua. Anëtarët e tjerë të familjes, përfshirë ish-bashkëshorten dhe katër fëmijët, u liruan nga akuzat ose u dënuan me gjoba simbolike.
Gjykata argumentoi se në familje ekzistonte një strukturë strikte patriarkale, ku vendimmarrja kontrollohej plotësisht nga kryefamiljari. Fëmijët dëshmuan se kishin firmosur dokumente pa dijeni, për shkak të besimit ndaj babait. Për shkak të paraburgimit të padrejtë, vajza dhe një nga djemtë do të dëmshpërblehen nga shteti zviceran me rreth 70 mijë franga.
Në seancë, i dënuari kërkoi falje, duke deklaruar se si prijës fetar nuk donte të shfaqej publikisht si biznesmen, ndaj kishte përdorur familjarët si mbulesë. Gjykata vlerësoi se aktiviteti kriminal i tij ishte përshkallëzuar me kalimin e kohës dhe se dënimet e mëparshme nuk kishin sjellë reflektim.
Njëri nga ndihmësit e shehut u dënua me kusht, ndërsa vendimi për ndihmësin tjetër pritet të shpallet në vijim.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






