

RRJOLL, SHKODËR – Banorët e fshatit Rrjoll, në zonën e Velipojës, kanë protestuar kundër ndërtimit të një resorti turistik, duke pretenduar se projekti po realizohet në tokat e tyre dhe pa zgjidhur më parë konfliktin e pronësisë. Protesta është shoqëruar me tensione dhe përplasje me forcat e policisë.
Protestuesit tentuan të bllokojnë aksin rrugor Shëngjin–Velipojë, në shenjë kundërshtimi ndaj rikthimit të fadromave dhe makinerive të ndërtimit në zonë. Sipas banorëve, nisja e punimeve është e paligjshme, pasi çështja e pronësisë ndodhet ende në proces gjyqësor.
Banorët deklarojnë se toka u është marrë në mënyrë të padrejtë dhe se dokumentacioni mbi të cilin është dhënë leja e ndërtimit është i falsifikuar. Ata theksojnë se në mars të vitit të kaluar kanë depozituar edhe një kallëzim penal pranë SPAK, duke kërkuar hetim për projektin në fjalë.
Projekti parashikon ndërtimin e një fshati turistik me vila dhe hotele luksoze dhe i është dhënë biznesmenit Bashkim Ulaj. Zona ku pritet të zhvillohet resorti shtrihet në kufirin mes Ranës së Hedhun dhe sektorit Baks–Rrjoll, një territor për të cilin banorët pretendojnë pronësi historike.
Tensionet mes komunitetit dhe autoriteteve kanë qenë të përsëritura. Edhe ditën e hënë, përfaqësues të rreth 60 familjeve dolën në protestë, ndërsa gjatë tubimit policia shoqëroi disa persona.
Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë kundërshtimin e tyre ligjor dhe qytetar deri në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së pronësisë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






