Transmetuar më 03-02-2026, 11:52

Deputeti i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, ka deklaruar në Kuvend se ish-Presidenti Ilir Meta po vuan një burgim politik, duke akuzuar qeverinë dhe drejtues të Policisë së Shtetit për rrëmbim të paligjshëm dhe shkelje të të drejtave themelore.

Gjatë interpelancës me ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, Blushi u shpreh se Shqipëria është i vetmi vend anëtar i NATO-s me të burgosur politikë. Ai tha se Meta është ndaluar në mes të ditës më 21 tetor 2024, pa një vendim gjykate në fuqi, ndërsa sipas tij vendimi është dhënë dy orë më pas.

Blushi akuzoi drejtpërdrejt kryeministrin Edi Rama, zyrtarë të Policisë së Shtetit dhe struktura të Ministrisë së Brendshme për një akt që e cilësoi “kriminal dhe banditesk”, duke shtuar se ndalimi kishte për qëllim intimidimin politik dhe ndikimin në zgjedhjet e 11 majit. Sipas tij, Avokati i Popullit ka konstatuar shkelje të të drejtave themelore dhe politike të Metës, përfshirë kufizimin e takimeve, komunikimit me median dhe deputetët, si dhe kushtet e izolimit.

Në përgjigje, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari, mohoi akuzat për burg politik dhe rrëmbim. Ai deklaroi se nga analiza e Avokatit të Popullit rezulton se pretendimet për persekutim politik janë të pabazuara dhe se nuk ka cënim të lirisë së shprehjes.

Lamallari citoi raportin e Avokatit të Popullit, duke theksuar se liria e shprehjes duhet të ushtrohet në përputhje me nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe se institucionet kanë detyrimin të garantojnë sigurinë dhe rendin. Sipas tij, nuk ka prova për mohim të lirive themelore apo ndalim të paligjshëm të ish-Presidentit Meta.

Debati në Kuvend u shoqërua me tone të forta politike, ndërsa çështja e arrestimit dhe trajtimit të Ilir Metës vijon të mbetet një nga përplasjet kryesore mes mazhorancës dhe opozitës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit