Transmetuar më 03-02-2026, 09:50

Orët e fundit po dalin në dritë detaje të reja lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur mbrëmjen e 1 shkurtit në Rrilë të Lezhës, ku dyshohet se objektivi ishte 21-vjeçari Merando Nikulaj, ndërsa i plagosur mbeti 30-vjeçari Sokol Daci.

Sipas burimeve, janë identifikuar tre persona të dyshuar si autorë të ngjarjes: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka.

Hetimet kanë zbuluar se rrënjët e konfliktit janë disa muaj më parë. Gjatë verës, Merando Nikulaj dhe kushëriri i tij kanë pasur një përplasje me të rinj nga fisi Ndoka, pranë zonës së plazhit ku familja Nikulaj administron edhe një hotel.

Konflikti nisi pas një incidenti me mjete motorike dhe më pas agravoi në konfrontim fizik, ku dy palët dyshohet se përdorën sende të forta.

Pas kësaj ngjarjeje, Merando Nikulaj është përfshirë në një proces gjyqësor për konfliktin e ndodhur gjatë sezonit veror.

Ndërkohë, Policia bëri të ditur se ka ndaluar edhe një punonjës policie, 24-vjeçarin Besart Kovaçi, i dyshuar për “Shpërdorim detyre”, pasi dyshohet se ka ndërhyrë gjatë ngjarjes duke përdorur armën e shërbimit.

Sipas njoftimit zyrtar, nga veprimet hetimore rezulton se në këtë ngjarje janë përfshirë Merando Nikulaj dhe tre anëtarë të fisit Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim. Ata dyshohen për vepra të rënda penale, ndërsa policia vijon punën për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Hetimet po thellohen për të dokumentuar plotësisht rrethanat dhe përfshirjen e secilit në këtë konflikt që duket se ka pasur një histori të gjatë përplasjesh mes palëve.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit