

Mbahet sot seanca e radhës parlamentare, ku në Rendin e Ditës janë parashikuar 14 pika.
Një nga pikat që pritet të nxisin tension dhe debat është diskutimi në lidhje me ndryshimet për Komisionin e Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale.
Socialistët kërkojnë ndryshimin e formulës së përbërjes së komisionit, ku nga ndarja 50:50, tashmë anëtarët do të kenë 9 anëtar dhe opozita 8, ndërkohë që nga forma e organizimit me dy bashkë kryetarë, pritet që kryetari të jetë i PS, dhe një përfaqësues nga opozita të jetë në rolin e nënkryetarit. Kjo sipas socialistëve bëhet që të vijojë puna e komisionit.
Pas bojkotit të bërë dje nga opozita për mbledhjen e Komisionit të Posaçëm të Reformës Territoriale, socialistët bënë me dije se nuk do të tërhiqeshin nga kërkesa e cila do të shqyrtohet sot në Kuvend.
Mes çështjeve që do të diskutohen në seancë plenare janë edhe ndryshimet në ligjin “Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope” dhe në ligjin “Për mbrojtjen nga diskriminimi”.
Ndërkohë do të zhvillohet edhe një interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti I Partisë së Lirisë, Tedi Blushi.
Pikë tjetër në Rendin e Ditës është edhe Projektligji “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” dhe Projektvendimi “Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.
Axhenda e plotë:
I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 3.2.2026, ora 10:00.
II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:
1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 22.1.2026.
2. Njoftime.
3. Interpelancë me Ministrin e Drejtësisë, z. Besfort Lamallari, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.
4. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Francës dhe Komisionit Evropian, për programin e bashkëpunimit (Interreg VI-C) Interreg Europe 2021-2027".
5. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr.1, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Zyra e Kryeministrit, dhe Komisionit Evropian për programin e bashkëpunimit ndërkufitar ShqipëriKosovë, 2021-2027, ratifikuar me ligjin nr. 12/2024".
6. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1 të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Komisionit Evropian për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Mali i Zi – Shqipëri 2021–2027, ratifikuar me ligjin nr. 9/2024".
7. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes ndryshuese nr. 1, të rishikuar, me shkëmbim letrash, të marrëveshjes së financimit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, Republikës së Maqedonisë së Veriut, përfaqësuar nga Sekretariati për Çështjet Evropiane, dhe Komisionit Evropian, për programin IPA të bashkëpunimit ndërkufitar Maqedonia e Veriut – Shqipëri, 2021 – 2027, ratifikuar me ligjin nr. 71/2024"
8. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8874, datë 29.3.2002, "Për kontrollin e lëndëve që përdoren për fabrikimin e paligjshëm të lëndëve narkotike dhe psikotrope.
9. Projektligji "Për disa shtesa në ligjin nr. 7975, datë 26.7.1995, "Për barnat narkotike dhe lëndët psikotrope", të ndryshuar.
10. Projektligji "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10 221, datë 4.2.2010, "Për mbrojtjen nga diskriminimi".
11. Projektligji "Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike".
12. Projektvendimi "Për ngritjen e Nënkomisionit për Zhvillim të Qëndrueshëm në përbërje të Komisionit të Përhershëm Parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm".
13. Projektvendimi "Për ndryshimin e vendimit nr. 75, datë 27.10.2025 "Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm për Reformën Administrativo-Territoriale në Republikën e Shqipërisë", i ndryshuar.
14. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.
III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.
IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






