Transmetuar më 03-02-2026, 07:50

Qeveria shqiptare ka rishikuar sërish projektligjin për sigurimin e detyrueshëm të banesave, duke zgjeruar skemën ekzistuese dhe përfshirë edhe rrezikun nga përmbytjet, përveç sigurimit ndaj tërmeteve.

Projektligji i ri mban emërtimin “Për sigurimin e detyrueshëm të banesave nga tërmetet dhe përmbytjet” dhe synon mbulimin e humbjeve financiare të pësuara nga të siguruarit, si pasojë e dëmeve të shkaktuara në banesat e tyre nga këto dy fenomene natyrore.

Përfshirja e përmbytjeve pritet të zgjerojë ndjeshëm rreziqet e mbuluara nga skema e detyrueshme, por njëkohësisht mund të sjellë edhe rritje të primit të sigurimit, krahasuar me modelin e mëparshëm që parashikonte vetëm sigurimin ndaj tërmeteve.

Edhe në variantin e përditësuar të projektligjit parashikohet krijimi i një Fondi Kombëtar për Sigurimin e Detyrueshëm nga Tërmetet dhe Përmbytjet, i cili do të administrojë skemën dhe do të sigurojë banesat, si edhe ambientet brenda tyre që përdoren si njësi shërbimi, zyra apo për qëllime të tjera të ngjashme.

Fondi do të krijohet si person juridik publik, i organizuar në formën e një shoqërie aksionare, në përputhje me këtë ligj dhe me legjislacionin në fuqi për tregtarët dhe shoqëritë tregtare.

Shuma maksimale e sigurimit do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, me propozim të ministrit përgjegjës për Financat. Ndërkohë, metodologjia për llogaritjen e primit të sigurimit do të bazohet në modele aktuariale të rrezikut nga tërmetet dhe përmbytjet, të zhvilluara posaçërisht për Shqipërinë dhe të miratuara nga Këshilli i Ministrave, pas marrjes së mendimit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.

Projektligji parashikon gjithashtu që Këshilli i Ministrave të përcaktojë kriteret konkurruese për përzgjedhjen e agjentëve publikë dhe privatë, si dhe të shoqërive të sigurimit që do të përfshihen në menaxhimin, shpërndarjen dhe administrimin e kontratave të sigurimit.

Sa i përket dëmshpërblimit, pagesa do të kryhet brenda tre muajve, duke filluar nga momenti i plotësimit të dokumentacionit përkatës, në varësi të shkallës së dëmit të konstatuar.

Projektligji forcon gjithashtu mekanizmat e detyrimit për zbatimin e sigurimit të detyrueshëm. Personat që kërkojnë regjistrimin ose ndryshimin e regjistrimit të banesës, apo shërbime të tjera kadastrale, do të duhet të paraqesin paraprakisht një kontratë të vlefshme sigurimi nga tërmetet dhe përmbytjet, të lidhur me Fondin Kombëtar. Në mungesë të kësaj kontrate, shërbimet kadastrale nuk do të ofrohen.

Po ashtu, personat që nuk lidhin kontratën e detyrueshme nuk do të përfitojnë shërbime elektronike përmes portalit e-Albania, si dhe shërbime nga Qendra Kombëtare e Biznesit, sipas përcaktimeve që do të bëhen me vendim të Këshillit të Ministrave.

Nga ana tjetër, shoqëritë private të sigurimit nuk do të lejohen të ofrojnë sigurime vullnetare për tërmetet apo përmbytjet për banesat që nuk kanë më parë një kontratë sigurimi të detyrueshme me Fondin Kombëtar.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit