

Një rast problematik është shënuar sot në 2 shkurt në Qendrën Korrektuese të Dubravës, ku autoritetet kanë parandaluar një tentativë për futjen e kontrabandës brenda institucionit korrektues. Si rezultat i këtij operacioni, është arrestuar një gardian, i cili dyshohet se kishte për qëllim të kontrabandonte substanca narkotike.
Burime zyrtare bëjnë të ditur se pas informacioneve të pranuara nga institucionet e sigurisë, është realizuar një kontroll i qëllimshëm në hyrje të burgut. Gjatë këtij kontrolli, është ndaluar gardiani me inicialet S.D., tek i cili janë gjetur të fshehura substanca të dyshuara narkotike. Sipas hetimeve fillestare, ekziston dyshimi i bazuar se këto substanca ishin destinuar për t’u futur ilegalisht brenda ambientit të qendrës korrektuese.
Menjëherë pas konstatimit të rastit, janë njoftuar Policia e Kosovës dhe Prokurori i Shtetit, të cilët kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme procedurale. I dyshuari është arrestuar në vendin e ngjarjes, ndërsa rasti është iniciuar dhe po trajtohet sipas procedurave ligjore në fuqi.
Shërbimi Korrektues i Kosovës ka reaguar pa vonesë ndaj këtij incidenti, duke theksuar se nuk do të tolerojë asnjë shkelje të ligjit apo abuzim me detyrën zyrtare. Në një njoftim për media, SHKK ka bërë të ditur se ndaj zyrtarit të arrestuar janë ndërmarrë masa të menjëhershme disiplinore, përfshirë pezullimin nga detyra. “Vendimi për pezullim është marrë nga Komisioni Disiplinor i Shërbimit Korrektues të Kosovës dhe masa do të mbetet në fuqi deri në një vendim tjetër përfundimtar”, thuhet në njoftimin zyrtar të SHKK-së.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






