Transmetuar më 02-02-2026, 22:33

Policia e Lezhës ka zbardhur emrat e personave të shpallur në kërkim pas atentatit të së dielës, ku mbeti i plagosur Sokol Daci në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll.

Autorët e dyshuar janë: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, ky i fundit nip i ish-deputetit socialist Arben Ndoka, si dhe Merando Nikulaj.

Hetimet kanë zbuluar se konflikti mes Nikulajve dhe fisit Ndoka ka nisur që gjatë verës, pranë zonës së plazhit ku të dyja familjet zotërojnë hotele. Sipas burimeve, djemtë e Nikulajve kanë përplasur motorin e djemve të fisit Ndoka, duke u përballur fizikisht me shkopa bejsbolli dhe sende të tjera të forta. Merando Nikulaj është dërguar më parë në gjyq për këtë sherr.

Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve. U ekzekutua urdhri i ndalimit për Besart Kovaçi, 24 vjeç, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të personave të shpallur në kërkim, për veprat penale:

– “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”

– “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”

Hetimet vijojnë intensivisht, ndërsa autorët e dyshuar janë ende në kërkim dhe policia nuk ka dhënë të dhëna të tjera për të mos komprometuar procedurat.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit