Transmetuar më 02-02-2026, 21:11

Hetime të ethshme po kryhen për ngjarjen që ka tronditur Lezhën mbrëmjen e 1 shkurtit 2026, ku rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, mbeti i plagosur me armë zjarri pronari i një berberhaneje, Sokol Doçi.

Pak pas ngjarjes, Grupi i Posaçëm Hetimor i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, nisi hetimet intensive për zbardhjen e rrethanave dhe dokumentimin e plotë ligjor të saj.

Si rezultat i veprimeve hetimore, me urdhër të Prokurorit, është ndaluar shtetasi Besart Kovaçi, 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, punonjës policie, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Polici akuzohet për veprën penale të shpërdorimit të detyrës, ndërsa ka qenë prezent brenda në berberhanen ku ndodhej 21-vjeçari Merando Nikulaj, shënjestra e atentatit, dyshohet nga hetimet.

Gjatë sulmit me armë, efektivi u është kundërpërgjigjur autorëve me armë zjarri.

Brenda barber shop Coli janë gjetur 16 gëzhoja pistolete, 10 të policit dhe 6 gëzhoja të një arme të dytë, armë e cila nuk është gjetur. Një nga 3 personat brenda, përveç policit, dyshohet po ashtu të ketë qëlluar me këtë pistoletë.

Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, janë tre nga fisi Ndoka të shpallur në kërkim. Ndërsa tjetri i shpallur në kërkim është i dyshuari si shënjestër, Merando Nikulaj, i cili ishte brenda në berberhane.

Zyrtarisht policia tha se nga hetimet ka rezultuar se në këtë ngjarje janë përfshirë edhe katër shtetas të tjerë – G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim. Ata dyshohen për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit”.

Policia dhe Prokuroria vijojnë punën për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim, ndërsa materialet procedurale janë referuar pranë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë.

Për shkak të hetimeve të vazhdueshme, nuk jepen detaje të tjera për publikun.

Çfarë tha sot policia

Vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në Rrilë.

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 01.02.2026, rreth orës 21:00, në fshatin Rrilë, Njësia Administrative Shënkoll, bashkia Lezhë, ku mbeti i plagosur me armë zjarri një shtetas, Grupi i Posaçëm Hetimor i DVP Lezhë, nën drejtimin e Prokurorisë, ka vijuar intensivisht hetimet me qëllim zbardhjen e ngjarjes, dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Në vijim të veprimeve u ekzekutua urdhri i ndalimit, i lëshuar nga Prokurori, për shtetasin B. K., 24 vjeç, banues në fshatin Dragushë, Njësia Administrative Dajç, Bashkia Lezhë, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga tërësia e veprimeve hetimore e procedurale, ka rezultuar se si të dyshuar në këtë ngjarje janë përfshirë shtetasit G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të cilët janë shpallur në kërkim.

Grupi i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë Lezhë, vijon punën për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes.

Për shkak të hetimeve, nuk jepen të dhëna të tjera.

Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, në ngarkim të shtetasve G. N., E. N., K. N. dhe M. N., të dyshuar për veprat penale “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe municionit dhe lëndëve shpërthyese”, si dhe në ngarkim të shtetasit B. K., i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit