

Këngëtarja nigeriane Ifunanya Nwangene, e njohur për pjesëmarrjen e saj në sezonin e tretë të spektaklit “The Voice Nigeria”, ka ndërruar jetë në moshën 26-vjeçare, si pasojë të një pickimi fatal nga gjarpri.
Sipas raportimeve të BBC Africa, Nwangene u pickua nga një gjarpër helmues në banesën e saj në Abuja, ndërsa ishte në gjumë. Pickimi e zgjoi dhe ajo kërkoi menjëherë ndihmë mjekësore, fillimisht në një klinikë lokale, ku nuk kishte antidot të disponueshëm. Më pas u transportua në Qendrën Federale Mjekësore Jabi, ku fatkeqësisht ndërroi jetë.
Një anëtare e korit ku ajo bënte pjesë, Hillary Obinna, ka deklaruar se autoritetet gjetën dy gjarpërinj brenda banesës së saj pas ngjarjes.
Lajmi për ndarjen nga jeta u konfirmua nga drejtori muzikor i korit Amemuso, Sam Ezugwu, përmes një njoftimi në rrjetet sociale. “Me zemër të thyer njoftojmë ndarjen nga jeta të Ifunanya Nwangene Nanyah. Zëri dhe shpirti i saj do të na mungojnë thellësisht,” thuhej në deklaratë.
Ifunanya Nwangene ishte soprano, e lindur në Enugu dhe e diplomuar në arkitekturë. Ajo fitoi vëmendjen e publikut në prill të vitit 2021, pas interpretimit të baladës “Take a Bow” të Rihanna-s në “The Voice Nigeria”, duke u vlerësuar për vokalin dhe ndjeshmërinë artistike.
Në kanalin e saj në YouTube, ajo kishte publikuar interpretime të disa këngëve të njohura, përfshirë “Lift Me Up” (Rihanna), “My Heart Will Go On” (Celine Dion) dhe “Slide Away” (Miley Cyrus).
Ndarja e saj e parakohshme ka tronditur komunitetin artistik dhe ndjekësit e saj, të cilët e kujtojnë si një artiste të talentuar dhe një person me shpirt pozitiv.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






