Transmetuar më 02-02-2026, 20:02

Situata në atë që njerëzit e njohin si autostrada Durrës-Tiranë, por që është në të vërtetë një superstradë dhe për më tepër, në situatë kaotike, vijon të mbetet shqetësuese.

Drejtuesit e automjeteve po përballen me radhë të gjata kilometrike.

Makina për të shmangur trafikun në autostradën kryesore janë futur në rrugët e brendshme të Vorës, por gjithashtu janë përballur me trafik të rënduar.

Pavarësisht shqetësimeve të shpeshta të qytetarëve, ankesat e tyre nuk kanë gjetur zgjidhje.

Rruga që është zhytur në një mjerim të pamëshirshëm ndaj shqiptarëve, në kushtet e papërgjegjshmërisë së vazhdueshme të shtetit, është e përthithur thuajse në çdo kohë të ditës dhe natës nga një trafik mbytës.

Të gjitha korsitë si në vajtje dhe kthim, janë të mbushura me gropa, gunga dhe gjithfarë gjërash që dëmtojnë makinat, tronditin udhëtarët dhe ua bëjnë gjithnjë e më të vështirë rrugëtimin gjithkujt.

Fenomeni "Hinka"

Duke nisur nga qendra e Tiranës dhe për të vazhduar deri në Laprakë, njerëzit përballen në çdo kohë me lumë makinash që derdhen nga të katër anët dhe futen në një hinkë pikërisht pranë rrethrrotullimit të casa italia.

Hinka vazhdon deri në Vorë dhe më tej deri në ndarjen mes rrugës drejt Durrësit dhe vijimit në Maminas ku shoferët bien nga shiu në breshër teksa në rrugët "e dhive" që të çojnë në Sukth, Hamallaj, Lalz, etj., zhyten në gropa të kudogjendshme dhe trafik gjithnjë e më të shtuar.

Në kthim, fenomeni hinkë vazhdon. Nis sërish nga afrimi në Vorë, vijon në daljen e Rinasit dhe kurorëzohet tek Zogu i Zi dhe më tej, unaza, rruga e Durrësit, 21 dhjetori, etkj, duke i futur njerëzit në trafik të pandalshëm të fenomenit "Hinka".

Qershia mbi tortë e këtij kaosi që vijon prej dekadash, duket si një eksperiment social i nisur nga qeveria e Berishës dhe i thelluar në mandatet e njëpasnjëshme të Ramës.

Ky i fundit, madje "punoi" edhe më shumë me eksperimentet: Fillimisht u mbollën palma që ranë si gjethe fiku dhe shpejt u zëvendësuan nga kanale, barishte dhe llucë dukuri që zgjati për disa vite.

Më në fund, qeveria e kuptoi lajthitjen dhe nisi të financojë shtimin e një korsie për makinat në të dy anët, dhe një të katërt për emergjencat e sigurisht që disa thonë se do të përdoren dhe nga trupat diplomatike dhe qeveritarët. Një shpenzim që thuhet se shkon 220 milionë euro.

Por kjo punë nuk po mbaron kurrë. Zëvendëskryeministrja në detyrë, Belinda Balluku, e cila është në hallet dhe ankthin e vet mes arrestimit dhe luftës së eprorit të saj për ta mbajtur në pushtet me çdo kusht, premtoi në 2025 se rruga, në pjesën deri në Rinas apo Vorë do të mbyllej deri në vjeshtë.

Pastaj premtoi me plot siguri se fundi i dhjetorit do ti gjente shqiptarët me rrugën e kurorëzuar. Premtimi doli bosh sërish dhe më pas, pa kërkuar asnjë ndjesë publike, u fol për afate të tjera, si pranvera dhe vera.

E ndërkohë, kush lëviz në këtë segment kaotik, në vajtje dhe kthim, shpesh konstaton se pak mjete dhe njerëz punojnë, edhe pse situata është në kushtet e emergjencës akute. Dhe ndërsa kjo gjendje vazhdon "qetësisht", njerëzit kanë kuptuar se mbarimi i rrugës, thjesht është futur në kalendat greke.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit