Transmetuar më 02-02-2026, 19:26

Nga Mentor Kikia

Kam ndjekur këto ditë ceremonitë që kanë shënuar 90-vjetorin e shkrimtarit Ismail Kadare. Mes tyre edhe ceremoninë për përurimin e shtatores së Kadaresë, në oborrin e kafenesë ku ai kalonte shumë kohë, Juvenilja.

Lexova një shkrim të botuesit të Kadaresë, Bujar Hudhri, “Fjalët që nuk i thashë dot në ceremoni”, në të cilin ai, me një paragraf, shprehte disaprovimin e tij që “ceremoninë e kishte drejtuar një mjek i njohur, mik i familjes”. Bëhet fjalë për drejtorin e Shërbimit të Urgjencës Mjekësore, Dr. Skënder Brataj.

Një lloj qejfmbetjeje, që mund të jetë njerëzore kjo e Bujarit, po të kesh parasysh miqësinë e tij 30-vjeçare me Kadarenë. Por miqtë e familjes nuk i zgjedh askush tjetër, as Bujari. Gjithatë, reagimi i Dr. Bratajt, pas këtyre fjalëve, mund të konsiderohet i habitshëm. Dukej gati-gati një sebep për të zbrazur “barkun” nga një mllef.

Ai e quante Bujar Hudhrin “hipokrit”, “me disa fytyra”, “njeri i vogël”, “mjeran”, “njeri që e shikon Kadarenë si pronë”, “botues që kishte vetëm interesa ekonomike te Kadareja”, “njeriu që nuk lejonte askënd t’i afrohej Kadaresë te Juvenilja”…

Nuk i di arsyet e vërteta të kësaj armiqësie, por vetëm me dashurinë për Kadarenë këto nuk justifikohen.

Por po them dy fjalë, si adhurues i Kadaresë dhe si mik i Bujar Hudhrit.

Bujari nuk ishte thjesht botuesi i Kadaresë. Ai ishte pjesë e familjes. Ai ishte njeriu që e takonte i pari kur vinte dhe i fundit kur ikte, në kohën kur Kadareja e ndante jetën mes Tiranës dhe Parisit. Ai ishte njeriu që e shoqëronte çdo ditë dhe jo sepse e ruante mos ia merrnin (siç thotë doktori), por sepse vetë Kadareja shoqërinë me Bujarin e kishte rutinën e nevojshme të ditës. Sepse ata kishin krijuar një kimi edhe njerëzore, përtej marrëdhënies botues-shkrimtar. Bujari merrte pjesë në procesin e tij krijues; ata punonin bashkë. Ai ishte me të kur ai shkruante. I përballonte tekat dhe natyrën e tij, aspak të lehtë. Sepse Bujari e adhuronte letërsinë e tij dhe madhështinë njerëzore, si pakkush tjetër.

Marrëveshja ekonomike mes botuesit Hudhri dhe Kadaresë ishte një katastrofë ekonomike në fillimet e veta për botuesin. Por Bujari bëri atë që asnjë botues tjetër, që për çdo libër bën llogaritë sa shita, sa shpenzova e sa fitova, nuk do ta bënte. Pa Bujarin, vepra e Kadaresë nuk do të ishte kjo që është sot, e sistemuar dhe shtypur në standardin më të lartë të mundshëm. Padyshim që vendimi i tij për t’i marrë ekskluzivitetin e Kadaresë ishte një vendim i guximshëm, që iu shpërblye me kohën. Por, kur Bujari firmosi me Kadarenë, ai i transportonte librat në bagazhin e makinës së tij dhe asnjë botues tjetër nuk e bëri këtë, edhe pse Kadareja ishte aty dhe ata kishin më shumë se një makinë.

Bujari dhe Kadareja kanë jetuar së bashku, nuk kanë bashkëpunuar. Bujari di çdo detaj të jetës së tij që askush tjetër nuk i di. Unë e kam shtyrë fort që ai të mbante ditar, të hidhte shënime dhe të shkruante kujtime apo bibliografi, sepse lexuesi që njeh Kadarenë shkrimtar duhet të njohë edhe Kadarenë njeri. Sepse për shkrimtarët e këtij niveli, edhe jeta e tyre vlen po aq sa edhe vepra. Por Bujari refuzonte vazhdimisht: Nuk do të them asgjë nga ato që më ka treguar me mirëbesim apo që unë di në aspektin njerëzor. Nuk do ta tradhtoj kurrë raportin njerëzor që kisha me të.

Edhe pas vdekjes së Kadaresë, Bujari mendon po njësoj.

Doktor, Bujari nuk është hipokrit. Ose, më saktë, ai mund të jetë hipokrit me këdo në këtë botë, por vetëm me Kadarenë jo. Ai iu përkushtua Kadaresë njeri po aq sa edhe Kadaresë shkrimtar. Madje, edhe ditën kur ai ra për të mos u ngritur më, para Urgjencës Mjekësore, familja telefonoi Bujarin dhe, rrugës pa kthim, ishte pikërisht ai që e shoqëronte në autoambulancë. Deklarimin e tij se makina e urgjencës nuk kishte pajisjet e duhura, unë nuk do ta shikoja si akuzë ndaj jush personalisht, por si dëshpërimin e një njeriu që, në atë makinë, nuk kishte një pajisje “magjike” që ta shpëtonte Kadarenë.

Bujari nuk e mbajti Kadarenë si pronë të vetën aty në “zyrën ovale” te Juvenilja, që të mos i afrohej njeri. Përkundrazi, janë me mijëra njerëz që sot kanë foto me Kadarenë te Juvenilja, dhe Bujari ishte autori i atyre fotografive.

Dhe e fundit, Kadareja nuk ka nevojë për mbrojtjen e askujt, qoftë familjarë, miq apo kolegë. Tashmë ai është KADARE dhe ka një mbrojtës shumë më të madh e më të fuqishëm ndaj kujtdo që mund të tentojë ta bëjë pis. Ai është lexuesi dhe emri i tij.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit