Transmetuar më 02-02-2026, 19:06

Zhvillime të reja janë raportuar në lidhje me zhdukjen e Bleona Matës, një çështje që prej më shumë se një dekade mbetet e pazbardhur dhe vazhdon të tërheqë vëmendjen e opinionit publik në Shqipëri.

Sipas dokumenteve të siguruara nga Report TV, hetimet kanë hapur një pistë të re, sipas së cilës ekziston dyshimi se Bleona Mata mund të jetë rrëmbyer menjëherë pas zhdukjes së saj dhe të jetë mbajtur peng për rreth tre muaj në fshatin Llakatund, në rrethin e Vlorës.

Nëna e Bleonës, Bukurie Veizi, ka deklaruar në dalje televizive se dyshon se rrëmbimi i së bijës lidhet me konflikte të vjetra familjare. Ajo ka pohuar se familja Mata ka pasur mosmarrëveshje prej vitesh me persona nga zona e Vlorës, të cilat, sipas saj, janë denoncuar edhe pranë organeve të rendit.

“Çiftin nga Vlora nuk e njoh personalisht. Kam takuar vetëm prindërit e vajzës në Zapot, ditën kur u zhduk Bleona. Ish-vjehrri im ka pasur konflikt me këtë familje dhe në maj të vitit 2010 ka bërë një denoncim në polici,” ka deklaruar Veizi.

Gjatë një transmetimi televiziv u shfaq edhe fotografia e një vajze, e dyshuar se mund të ishte Bleona Mata. Megjithatë, pas shqyrtimit të imazhit, nëna e saj ka deklaruar se tiparet fizike të vajzës në fotografi nuk përputhen me ato të Bleonës, duke përjashtuar kështu mundësinë e identifikimit.

“Tiparet nuk përputhen, por dyshimet e mia mbeten tek e njëjta familje,” është shprehur ajo.

Edhe pse kanë kaluar gati 16 vite nga zhdukja e Bleona Matës, autoritetet konfirmojnë se hetimet vijojnë. Bleona u zhduk më 22 maj 2010, kur ishte vetëm 6 vjeçe, dhe gjurmët e saj të fundit u raportuan në zonën malore të Pikëllimit, në qarkun e Kukësit.

Familjarët e saj, veçanërisht nëna, kanë kërkuar ndër vite ndihmë institucionale dhe publike për zbardhjen e fatit të vajzës.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit