Transmetuar më 02-02-2026, 15:35

Berat – Shitja e kokainës në rrugë mbetet një problem shqetësues edhe në qytetin e Beratit. Sipas Policisë, lënda narkotike po shpërndahej në lëvizje, përmes automjeteve, duke e bërë më të vështirë identifikimin dhe goditjen e rrjeteve të shitjes.

Burime zyrtare bëjnë me dije se dy persona u konstatuan teksa lëviznin në aksin rrugor Dimal–Kuçovë, duke transportuar dhe shpërndarë kokainë dhe cannabis, me qëllim shitjen në zona të ndryshme. Lëndët narkotike u gjetën brenda automjetit gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë.

Si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve operative, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Berat lokalizuan dhe ndaluan automjetin me të cilin lëviznin dy shtetas, konkretisht drejtuesi N. Ç., 40 vjeç, dhe pasagjeri K. Q., 28 vjeç.

Rasti tregon se kokaina nuk qarkullon më vetëm në ambiente të mbyllura apo përmes ndërmjetësve, por po shitet drejtpërdrejt në rrugë, duke rritur rrezikun për përhapjen e saj dhe duke e kthyer trafikun e drogës në një fenomen gjithnjë e më të hapur.

Pas ndërhyrjes së Policisë, njëri prej shtetasve u arrestua, ndërsa tjetri u procedua penalisht. Hetimet vijojnë për të zbuluar rrjetin e shpërndarjes dhe personat e tjerë të përfshirë në tregtimin e kokainës në zonë.

Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan sasi lëndësh narkotike të dyshuara si kokainë dhe cannabis sativa, të cilat dyshohet se posedoheshin me qëllim shitjen.

Në përfundim të veprimeve procedurale, 40-vjeçari u arrestua në flagrancë, ndërsa 28-vjeçari u procedua penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme ligjore.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit