Transmetuar më 02-02-2026, 14:08

Tiranë, 2 shkurt 2026

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se opozita do të vijojë protestat deri në rrëzimin e asaj që ai e cilësoi si “diktaturë e instaluar nga Edi Rama” dhe rikthimin e votës së lirë në Shqipëri.

Gjatë fjalës së mbajtur sot në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, Berisha akuzoi mazhorancën dhe qeverinë për një sërë skandalesh, duke veçuar, sipas tij, dy rastet më të rënda që lidhen me zv/kryeministren Belinda Balluku dhe Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

“E gjithë Evropa pret protestën tonë. E gjithë bota pret protestën tonë. Protestat tona janë ndjekur me interes maksimal dhe për këtë arsye ne do ta vazhdojmë misionin e përmbysjes së kësaj diktature dhe rikthimit të votës së lirë të shqiptarëve”, u shpreh Berisha.

Ai foli për një “kryengritje paqësore” dhe u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë për hetime më të thelluara dhe veprime më të forta ndaj, sipas tij, abuzimeve të qeverisë.

Në lidhje me zhvillimet parlamentare, opozita bojkotoi sot Reformën Territoriale, ndërsa mazhoranca ka paralajmëruar se në seancën e radhës të Kuvendit do të prishet parimi i paritetit, duke përdorur shumicën e saj.

Berisha akuzoi gjithashtu drejtues të Policisë së Shtetit, duke deklaruar se “Ergys Agasi i Policisë është Ilir Proda”, të cilin e cilësoi si të zgjedhur nga krimi i organizuar dhe përfaqësues të tij.

Kreu i PD-së theksoi rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, përmes takimeve, sqarimeve dhe debateve, duke e akuzuar qeverinë për përdorim të propagandës, të cilën e quajti “toksike”.

Ai kritikoi edhe mediat që, sipas tij, mbështesin qeverinë, duke i akuzuar për “glorifikim të skajshëm”, ndërsa kërkoi mobilizim maksimal të strukturave të Partisë Demokratike në ditët në vijim.

Sipas Berishës, zemërimi qytetar është i dukshëm në takimet që përfaqësuesit e opozitës po zhvillojnë në terren dhe pritet të shprehet në protestën e paralajmëruar më 10 shkurt, në bulevardin përpara Kryeministrisë, me kërkesën për largimin e qeverisë.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit