Transmetuar më 02-02-2026, 13:25

Lezhë, 2 shkurt 2026

Detaje të reja janë bërë publike në lidhje me atentatin e ndodhur mbrëmjen e kaluar në qytetin e Lezhës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbeti i plagosur Sokol Daci, 30 vjeç, pronar i një berberhane.

Sipas hetimeve paraprake, 30-vjeçari nuk ka qenë shënjestër e sulmit. Burime policore bëjnë me dije se në ambientet e berberhanes, në momentin e atentatit, ndodheshin edhe katër persona të tjerë, mes tyre Merando Nikulaj, nipi i Ardian Nikulajt. Ky i fundit dyshohet se ka qenë objektivi i atentatit.

Deri në këto momente, Merando Nikulaj nuk është shoqëruar ende nga policia për t’u marrë në pyetje. Ndërkohë, uniformat blu po kryejnë kontrolle në disa biznese dhe banesa në zonë, me qëllim lokalizimin dhe shoqërimin e tij.

Sipas burimeve hetimore, ekzistojnë dyshime të forta se 21-vjeçari mund të ketë mbetur i plagosur, pasi në pamjet e kamerave të sigurisë ai shihet duke u larguar nga vendngjarja me vështirësi në ecje. I plagosuri Sokol Daci

Ngjarje e lidhur me vrasjen e Ardian Nikulajt

Atentati i fundit rikthen në vëmendje vrasjen e Ardian Nikulajt, e ndodhur në prill të vitit 2023. Nikulaj u qëllua për vdekje brenda lokalit të tij, ku autor i dyshuar ishte shtetasi portugez Ruben Saraiva, i cili, sipas hetimeve, hyri i maskuar dhe qëlloi disa herë me pistoletë.

Për këtë vrasje, si porositës dyshohet Edmond Haxhia, i cili në bashkëpunim me shtetas të huaj kishte vëzhguar për disa ditë lëvizjet e viktimës, për të përcaktuar momentin e ekzekutimit.

Pas ngjarjes, disa nga autorët u larguan nga vendi përmes aeroportit të Rinasit, ndërsa të tjerë përmes rrugëve tokësore drejt Greqisë. Ata u arrestuan më pas nga autoritetet shqiptare dhe të huaja.

Hetimet për atentatin e fundit në Lezhë vijojnë, ndërsa policia nuk përjashton pistën e përplasjeve të mëparshme kriminale.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit