

Tiranë, 2 shkurt 2026
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka kritikuar mënyrën se si është trajtuar procesi i dëmshpërblimit për dëmet e shkaktuara nga zjarret dhe fatkeqësitë natyrore në sektorin e bujqësisë dhe blegtorisë, duke akuzuar qeverinë se ka dhënë vetëm “gjysmën e së vërtetës”.
Në një reagim publik në rrjetet sociale, Braçe sqaron se fondet e kaluara drejt bashkive kanë mbuluar vetëm dëmet në banesa, ndërsa fermerët dhe blegtorët e prekur nga zjarret e verës kanë mbetur pa asnjë kompensim për humbjet në bagëti, frutikulturë dhe mjete prodhimi.
Sipas tij, fondet për këto dëme nuk janë përfshirë as në Aktin Normativ të vitit 2025 dhe as në buxhetin e vitit 2026. Braçe rikujton se në Komisionin e Ekonomisë ka ngritur çështjen pranë ministrit të Bujqësisë dhe ministrit të Financave, por ka marrë përgjigje se mungonin kërkesat për fonde dhe baza ligjore për kryerjen e pagesave.
Deputeti thekson se, ndonëse dëmshpërblimi për banesat është i domosdoshëm, mungesa e kompensimit për aktivitetin bujqësor dhe blegtoral rrezikon seriozisht jetesën e familjeve rurale dhe ndikon negativisht në ekonominë bujqësore të vendit, e cila sipas tij ndodhet prej tre vitesh në rënie të ndjeshme.
“Në mungesë të mbështetjes për mjetet e prodhimit dhe burimin e të ardhurave, dëmshpërblimi mbetet i paplotë”, shprehet Braçe, duke kërkuar që procesi të shkojë deri në fund dhe të përfshijë realisht të gjithë të prekurit.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






