

Ka nisur në orën 11:00 në Gjykatën e Posaçme seanca paraprake për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Prej më shumë se një ore, seanca për dosjen “Veliaj” vijon me debate të forta, ndërsa vetë kryebashkiaku ka mbajtur fjalën para gjyqtares Etleva Deda.
Kjo seancë zhvillohet një ditë pasi GJKKO rrëzoi kërkesën e Veliajt për zëvendësimin e masës së sigurisë “arrest në burg”.
Gjatë seancës gjyqësore, Veliaj kërkoi përjashtimin e gjyqtares Etleva Deda, duke pretenduar se nuk iu dha e drejta për t’u mbrojtur në mënyrë efektive.
Avokatja e caktuar nga shteti, Valentina Teodoresku tha se “nuk i kishte dalë koha ta takonte Veliajn dhe se ajo ka fuqi ligjore për ta mbrojtur”.
“Asgjë nuk ndodhi, unë kërkova të shtyhej seanca ngaqë kam shkuar dy herë në paraburgim. Një herë ka qenë i sëmurë duke marrë serum, herën tjetër, biseduam por jo të mbaronim tërësisht, dhe nuk vendosëm se çfarë do të thonim.
Unë kërkova shtyrje dhe kjo është e drejta ime. Taksinë e përmenda se kam paguar 2 herë… Nuk kam mjet transporti, kam marrë taksinë dhe kam paguar 80 mijë lekë. Unë më shumë kam dhënë sesa kam marrë. Këtë duhet ta ketë parasysh gjykata që nuk na paguajnë siç duhet.
Unë i kërkova kohë gjykatës. I kërkova që gjykata ta pajisë Veliajn me një laptop pa internet dhe një USB se ai kërkon që të njihet me dokumentet. Unë nuk mund t’ia them Veliajt 60 mijë faqe përmendësh”, u shpreh Teodoresku.
Avokatja deklaroi se taksia e kishte pritur vetëm një orë në IEVP Durrës, çka sipas saj nuk i kishte dhënë kohë të mjaftueshme për t’u njohur me aktet e dosjes. Për këtë arsye, ajo kërkoi shtyrjen e seancës, por kërkesa u rrëzua nga Gjykata e Posaçme.
Gjyqtarja Etleva Deda ka kaluar në konkluzionet përfundimtare, duke e cilësuar si të ezauruar fazën e mbrojtjes.
Pas këtij vendimi, Veliaj u largua nga salla e gjyqit, duke pohuar se nuk po dëgjohej.
“Meqë s’po më dëgjoni, po iki”, tha Veliaj dhe braktisi seancën.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






