

2500 euro për një rrugë: goditet një rrjet i fshehtë transporti drejt BE-së, një i arrestuar dhe një në kërkim
Një operacion i zhvilluar pas një hetimi të gjatë me metoda speciale ka çuar në zbardhjen e një rasti të transportimit të paligjshëm të emigrantëve drejt vendeve të Bashkimit Europian.
Policia ka finalizuar fazën e pestë të operacionit të koduar “Relay”, në kuadër të të cilit është arrestuar një shtetas nga Maqedonia e Veriut, i cili u kap në flagrancë teksa transportonte emigrantë që synonin të largoheshin ilegalisht drejt BE-së.
41-vjeçari u ndalua në aksin rrugor Kashar–Thumanë, ndërsa po transportonte dy emigrantë. Nga hetimet rezulton se organizatori i këtij rasti, një 33-vjeçar banues në Durrës, i shpallur tashmë në kërkim, dyshohet se u kishte marrë emigrantëve nga 2500 euro secilit, me premtimin se do t’i dërgonte në Itali.
Gjatë operacionit janë sekuestruar automjeti i përdorur për transportin, dy telefona celularë dhe një shumë parash, që dyshohet se janë përfituar nga kjo veprimtari e paligjshme.
Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës, vijon hetimet për kapjen e organizatorit dhe për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në këtë skemë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






