

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, u është drejtuar sot maturantëve me një mesazh informues, duke bërë me dije se ka nisur procesi i plotësimit të formularit A1, përmes të cilit nxënësit përzgjedhin lëndët me zgjedhje për provimet e Maturës Shtetërore 2026.
Gjatë fjalës së saj, ministrja theksoi se zgjedhja e lëndëve është një vendim i rëndësishëm, pasi ndikon drejtpërdrejt në orientimin akademik dhe studimet e mëtejshme. Ajo u bëri thirrje maturantëve që ta marrin këtë vendim me kujdes dhe të konsultohen me mësuesit dhe prindërit e tyre.
Kumbaro informoi gjithashtu se për maturantët e viteve të mëparshme, aplikimi përmes formularit A1Z do të zhvillohet në datat 10–11 shkurt. Sipas saj, Drejtoritë Rajonale Arsimore, zyrat arsimore dhe institucionet shkollore do të jenë në dispozicion për të ofruar asistencë gjatë gjithë procesit të aplikimit.
“Për ata që nuk janë maturantë të këtij viti, por të viteve të mëparshme, është formulari A1Z, i njohur edhe ky për të gjithë ata që ndjekin procesin. Por mirë është ta kujtojmë që për këtë të dytin, ka vetëm dy data në dispozicion. Kemi postuar dhe kemi bërë të njohur për të gjithë aplikuesit sipas drejtorive rajonale arsimore: Në datën 2,3 dhe 4 në Tiranë, Durrës dhe Fier. Në datën 5,6 dhe 9 në Korçë dhe në Lezhë do të jenë të gjithë në dispozicion për t’ju asistuar, për t’ju ndihmuar, që nga mësuesit, drejtuesit e shkollave, drejtuesit e zyrave arsimore dhe të drejtorive rajonale”, tha Kumbaro.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






