

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Nea Peramos në Greqi, ku pasditen e djeshme u gjet trupi i pajetë i një biznesmeni 27-vjeçar, i hedhur në një përrua pranë Manastirit të Trinisë së Shenjtë.
I riu ishte raportuar i zhdukur prej disa ditësh, pasi ishte rrëmbyer në orët e para të mëngjesit jashtë banesës së tij në Elefsina. Sipas të dhënave paraprake të hetimit, autorët e kishin transportuar viktimën në një zonë të izoluar, ku dyshohet se e kanë ekzekutuar me të paktën shtatë plumba. Më pas, ata janë përpjekur t’i vënë flakën trupit për të zhdukur gjurmët e krimit, por pa sukses.
Ende nuk dihet për sa kohë 27-vjeçari ka qenë në duart e rrëmbyesve, nga momenti i rrëmbimit deri në vrasjen e tij. Pamjet e publikuara nga protothema.gr tregojnë momentet para rrëmbimit. Në video, biznesmeni shihet duke u kthyer në shtëpi rreth orës 02:01 të mëngjesit të 26 janarit, i veshur me kostum gri dhe bluzë me kapuç blu.
Teksa hyn në rrugicën ku ndodhet pallati ku banonte me partneren e tij, një automjet blu afrohet nga drejtimi i kundërt. Brenda tij ndodheshin katër persona, të cilët, nën kërcënimin e armës, e detyruan të hipte në makinë dhe u larguan me shpejtësi.
Pamjet e kamerave të sigurisë iu dorëzuan Policisë nga partnerja e viktimës, e cila denoncoi rrëmbimin. Nga verifikimi i targave, autoritetet konstatuan se automjeti i përdorur ishte raportuar i vjedhur në Selanik.
Hetuesit kanë përjashtuar pistën e rrëmbimit për shpërblim, pasi familjarët e viktimës, pavarësisht se ai vinte nga një familje e pasur, nuk janë kontaktuar asnjëherë për kërkesë parash. Policia e Vrasjeve dyshon se ngjarja lidhet me mosmarrëveshje financiare mes viktimës dhe autorëve.
Autoritetet po hetojnë gjithashtu ngjashmëritë me një vrasje tjetër të ndodhur në vitin 2024 në zonën pyjore të Mandrës, ku një biznesmen u gjet i vrarë dhe trupi i tij, së bashku me automjetin e përdorur për rrëmbimin, u dogj nga autorët.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






