

Autoritetet në Kosovë kanë ndaluar të dielën 34 nga 43 persona të intervistuar, të cilët dyshohen për manipulim të votave të kandidatëve në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.
Të ndaluarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka bërë të ditur se ka urdhëruar Departamentin e Hetimeve të Policisë së Kosovës të intervistojë kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit në Mitrovicë të Veriut, Mitrovicë të Jugut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan.
Ditëve të fundit, autoritetet kanë intervistuar qindra persona në komuna të ndryshme të vendit, ndërsa dhjetëra prej tyre janë ndaluar nën dyshime të njëjta.
Sipas autoriteteve, gjatë procesit të rinumërimit janë vërejtur ndryshime të konsiderueshme në numrin e votave për disa kandidatë – në disa raste deri në 6 mijë vota për një individ – ndërkohë që votat për partitë politike nuk janë prekur.
Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh se manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me deri në pesë vjet burgim.
Disa zyrtarë shtetërorë e kanë cilësuar këtë si “procesin më të komprometuar zgjedhor” në Kosovë, ndonëse vendi është vlerësuar shpesh nga organizata vendore dhe ndërkombëtare për organizimin e zgjedhjeve të lira dhe transparente.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka përfunduar procesin e rinumërimit të premten në mbrëmje dhe ka publikuar rezultatet përfundimtare të nesërmen. Anëtarët e KQZ-së kanë miratuar listat e kandidatëve të të gjitha partive, përveç asaj të Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë.
Lista Serbe dhe Beogradi zyrtar kanë reaguar ashpër ndaj këtij vendimi, ndërsa kjo parti ka paralajmëruar se do të paraqesë ankesë. Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, ka deklaruar se subjektet politike kanë të drejtë ankese brenda 48 orëve pas shpalljes së rezultateve.
Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke thënë se KQZ-ja ka kryer shkelje procedurale, fillimisht duke shpallur rezultate pa përfunduar afati ligjor për ankesa dhe më pas duke publikuar rezultate të pjesshme.
Sipas të dhënave përfundimtare të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 51.10 për qind të votave, apo 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave apo 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 13.24 për qind apo 15 ulëse, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 5.50 për qind apo gjashtë ulëse.
Nga dhjetë ulëset e rezervuara për komunitetin serb, nëntë i ka fituar Lista Serbe dhe një Partia për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë.
Pas certifikimit të rezultateve, pritet të nisë procesi i formimit të institucioneve të reja. Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, dhe Lëvizja Vetëvendosje pritet ta formojnë Qeverinë e re, ndërsa Kurti ka theksuar nevojën për ndërtimin e një raporti të ri mes pushtetit dhe opozitës për çështje madhore, përfshirë zgjedhjen e presidentit dhe ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






