

Pensionistët italianë që jetojnë në Shqipëri i kanë dërguar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, duke shprehur shqetësimin për vendosjen e mundshme të një takse prej 15% mbi pensionet e tyre, të cilat deri më tani nuk janë taksuar.
Lajmi është raportuar fillimisht nga portali AlbanItaly, i drejtuar nga ish-gazetari i RAI-t, Giuseppe Mazzei, dhe më pas është pasqyruar edhe nga e përditshmja italiane La Repubblica.
Sipas raportimeve, pensionistët druhen se mund të detyrohen të paguajnë taksën bazë prej 15% mbi të ardhurat, si dhe të plotësojnë deklaratën vjetore të të ardhurave, të njohur si “DIVA”. Një barrë e tillë fiskale, sipas tyre, do të ndryshonte ndjeshëm kushtet që i kanë shtyrë të zhvendosen në Shqipëri.
Shqetësimi ka lindur pas ndryshimeve në legjislacionin fiskal, të miratuara në janar 2024. Ligji i vitit 2019 parashikonte përjashtim nga taksat për shtetasit e Bashkimit Europian me leje qëndrimi në Shqipëri, përfshirë pensionistët italianë. Ndërsa ligji i ri kufizon përjashtimet vetëm për të ardhurat e mbrojtura nga marrëveshjet ndërkombëtare, duke reduktuar mbrojtjen fiskale për këtë kategori.
Megjithatë, gjatë vitit 2025, administrata tatimore shqiptare nuk ka kërkuar pagesë taksash nga pensionistët italianë, çka ka krijuar një situatë pasigurie dhe paqartësie ligjore.
Pensionistët italianë që jetojnë në Shqipëri përfitojnë mesatarisht rreth 3,500 euro në muaj. Shumë prej tyre u janë drejtuar qendrave të asistencës fiskale (CAF) dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për sqarime, por, sipas raportimeve, informacionet e marra kanë qenë të paqarta dhe shpesh kontradiktore.
Sondazhe të cituara nga mediat italiane tregojnë se vendosja e një takse 15% mund të nxisë një largim masiv të pensionistëve drejt vendeve më miqësore nga ana fiskale, si Sllovakia, Hungaria apo Kroacia.
Një zhvillim i tillë do të kishte pasoja të drejtpërdrejta ekonomike për Shqipërinë. Sipas të dhënave, pensionet italiane që hyjnë çdo vit në vend arrijnë mbi 136 milionë euro, të cilat shpenzohen kryesisht për konsum lokal, qira, shërbime, restorante dhe tregtinë e përditshme.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






