Transmetuar më 02-02-2026, 07:36

Shqipëria renditet e 83-ta në botë për të ardhurat për frymë dhe ndër vendet e fundit në Europë për mirëqenie ekonomike, sipas të dhënave më të fundit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) për vitin 2025.

Sipas bazës së të dhënave të FMN-së, të ardhurat për frymë në Shqipëri kanë arritur në rreth 11 mijë dollarë amerikanë, duke e renditur vendin në vendin e 83-të globalisht. Në këtë tregues, Shqipëria ka kaluar Maqedoninë e Veriut (10,377 USD) dhe Bosnjë-Hercegovinën (9,467 USD), ndërsa disa vite më parë pozicionohej pas tyre.

Megjithatë, në nivel europian, Shqipëria mbetet ndër vendet më të varfra. Shteti me të ardhurat më të ulëta për frymë në Europë vijon të mbetet Kosova, me rreth 8,033 dollarë për frymë.

Në rajon, Serbia kryeson renditjen me 15.3 mijë dollarë për frymë, duke lënë pas Malin e Zi me 14.9 mijë dollarë, i cili për shumë vite kishte mbajtur vendin e parë.

Të ardhurat për frymë të Shqipërisë përfaqësojnë vetëm 28% të mesatares europiane dhe 23.7% të mesatares së Bashkimit Europian, e cila arrin në 46,804 dollarë. Vendit nuk i ka arritur as mesataren globale prej 14.6 mijë dollarësh, duke mbetur në rreth 76% të saj.

Sipas FMN-së, rritja nominale e të ardhurave për frymë në Shqipëri vitet e fundit është ndikuar edhe nga nënçmimi i euros dhe dollarit, faktor që ka rritur automatikisht vlerën e treguesit të llogaritur në monedhë të huaj.

Në treguesin tjetër kyç, atë të Prodhimit të Brendshëm Bruto për frymë sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), Shqipëria renditet e 85-ta në botë, me rreth 23.3 mijë dollarë ndërkombëtarë. Në këtë renditje, vendi mbetet pas Maqedonisë së Veriut, e cila ndodhet në vendin e 77-të, duke reflektuar një kosto më të lartë jetese në Shqipëri, pavarësisht të ardhurave nominalisht më të larta.

Bosnjë-Hercegovina renditet e 89-ta, ndërsa Kosova e 98-ta në këtë tregues.

Treguesi i PBB-së për frymë sipas PPP merr parasysh jo vetëm prodhimin ekonomik për banor, por edhe nivelin e çmimeve të mallrave dhe shërbimeve, duke reflektuar më saktë standardin real të jetesës. Ndryshe nga llogaritja me kurs këmbimi, ky tregues korrigjon diferencat e çmimeve mes vendeve dhe shpreh të ardhurat në të ashtuquajturin “dollar ndërkombëtar”, i cili përfaqëson të njëjtën fuqi blerëse në çdo vend.

Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd

Lajmet e fundit