

Prishtinë / Berlin – Gazetari gjerman i Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), Michael Martens, ka shkaktuar reagime të shumta pas kritikave të ashpra publike ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, lidhur me mbështetjen institucionale të dokumentarit “Melania”, kushtuar Zonjës së Parë të Shteteve të Bashkuara, Melania Trump.
Reagimi i Martens erdhi pasi Osmani njoftoi se premiera e dokumentarit u mbajt në Prishtinë, në ambientet e Cineplexx, nën patronazhin e Presidencës së Kosovës, duke e cilësuar ngjarjen si një moment me rëndësi kulturore dhe simbolike që lidh Kosovën me skenën ndërkombëtare të kinemasë.
Në një postim në rrjetet sociale, gazetari i FAZ përdori një gjuhë tepër kritike ndaj presidentes, duke vënë në pikëpyetje kufirin mes përfaqësimit të interesave shtetërore dhe asaj që ai e përshkroi si sjellje politike të papërshtatshme. Deklaratat e tij u interpretuan nga shumë reagime publike si fyese dhe denigruese ndaj kreut të shtetit të Kosovës.
Reagime të ashpra nga këshilltari i Presidentes dhe analistë rajonalë
Deklaratat e Martens u kundërshtuan menjëherë nga Rinor Nuhiu, këshilltar i presidentes Osmani, i cili i cilësoi komentet si të papranueshme dhe në kundërshtim me standardet bazë të debatit publik dhe etikës profesionale.
Nuhiu theksoi se përdorimi i një gjuhe të tillë ndaj një kryetareje shteti përbën, sipas tij, shkelje serioze të normave morale dhe profesionale, duke mohuar pretendimet se Osmani ka vepruar për interesa personale apo politike.
Përplasja verbale mes tyre vijoi edhe më tej, pasi Martens reagoi sërish me tone ironike, duke propozuar një debat publik në Berlin mbi atë që ai e quajti “sjellje jo-evropiane” të presidentes Osmani.
Kësaj i është përgjigjur sërish Nuhiu, duke theksuar se Vjosa Osmani konsiderohet një nga lideret më qartësisht pro-evropiane në rajon, duke nënvizuar se nën udhëheqjen e saj Kosova është rreshtuar plotësisht me politikat e jashtme dhe të sigurisë së Bashkimit Evropian.
Thirrje për reagim nga FAZ
Ndërkohë, analisti boshnjak Jasmin Mujanoviq ka kërkuar një reagim zyrtar dhe distancim publik nga ana e gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, duke vlerësuar se gjuha e përdorur nga gazetari i saj cenon standardet themelore të gazetarisë profesionale.
Sipas Mujanoviq, kritika ndaj politikave të një lidereje është legjitime, por përdorimi i termave denigrues dhe personalë është i papranueshëm në diskursin publik evropian.
Debati ka ngjallur reagime të shumta në rrjetet sociale, duke hapur një diskutim më të gjerë mbi kufijtë e kritikës mediatike, etikën profesionale dhe mënyrën e trajtimit të përfaqësuesve institucionalë nga media ndërkombëtare.
You can take whatever view you want of Osmani's politics. But for the man often styled as the leading German journalist of the Western Balkans to claim she is engaging in "self-degrading intellectual prostitution" is wildly inappropriate. This demands a retraction @faznet. pic.twitter.com/Y9G8LWJLEY
— Jasmin Mujanović (@JasminMuj) January 31, 2026
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






