

Librazhd – Është rihapur pas shtatë orësh segmenti i rrugës kombëtare Librazhd–Prrenjas, i cili u bllokua përkohësisht pasi trasesë iu derdhën qindra metra kub gurë dhe dherë nga shpati i kodrës përreth.
Shpati nga ku ndodhi rrëshqitja është pjesë e punimeve për ndërtimin e një segmenti të ri rrugor, në kuadër të projektit Korridori VIII.
Pas ndërhyrjes dhe punës intensive të makinerive të rënda dhe ekipeve në terren, u bë i mundur pastrimi i plotë i aksit dhe rifillimi i qarkullimit në të dy drejtimet.
Policia Librazhd në vijim të informacionit të dhënë për bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor “Librazhd – Qafë Thanë”, në vendin e quajtur Dragostunjë, njoftoi në orën 18.45 se aktualisht rruga është hapur dhe qarkullimi i automjeteve vijon normalisht në të dyja kahet e lëvizjes.
Shërbimet e Policisë Rrugore, patrullat e Përgjithshme dhe Shqiponjat janë prezente në të gjithë gjatësinë e aksit, me qëllim monitorimin e lëvizjes së lirë të automjeteve.
Për shkak të fluksit të shtuar, Policia Rrugore e Elbasanit apelon për kujdes gjatë qarkullimit, qëndrimin në radhë dhe respektimin me rigorozitet të rregullave të qarkullimit rrugor.
Në rast nevoje, apo për të denoncuar shkeljet e rregullave të qarkullimit që sjellin për pasojë ngadalësim apo bllokim të lëvizjes, telefononi në 112 dhe kontaktoni shërbimet e Policisë që janë në detyrë.
Shënim: Disa imazhe gjenden nga interneti, që konsiderohen të jenë në domenin publik. Nëse dikush pretendon pronësinë, ne do të citojmë autorin, ose, sipas kërkesës, do të heqim menjëherë imazhin.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd






